Real Madridi pritet të bëjë ndryshime të mëdha gjatë verës dhe skuadra mund të pësojë disa largime të rëndësishme.
Brenda zhveshtores ka lojtarë që kanë dhënë mendimin e tyre për ata që duhet të largohen dhe ia kanë bërë të qartë drejtuesve të klubit.
Ngjarja kryesore e javës së kaluar ishte përleshja mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit në zhveshtore, ku uruguaiani përfundoi i dëmtuar në kokë dhe mbeti jashtë fushave.
Të dy lojtarët u gjobitën me nga 500 mijë euro dhe “Los Blancos” e mbyllën aty procedurën disiplinore.
Sipas gazetarit Ramon Alvarez de Mon, incidenti ka prishur marrëdhënien mes Valverdes dhe disa bashkëlojtarëve të tij.
Thuhet se disa nga figurat kryesore të zhveshtores së Real Madridit i kanë kërkuar klubit që Valverde të shitet gjatë kësaj vere.
Ata besojnë se situata mes Valverdes dhe Tchouamenit është bërë e paqëndrueshme, megjithëse çështja konsiderohet “delikate” për shkak të kontributit dhe sukseseve të uruguaianit në vitet e fundit me madrilenët.
Edhe pse Real Madridi i ndëshkoi të dy lojtarët në mënyrë të barabartë, duket se brenda klubit më shumë faj i është atribuar Valverdes.
Raportohet se ishte uruguaiani ai që vazhdimisht testonte durimin e Tchouamenit në stërvitje, fillimisht me akuza, më pas me ndërhyrje të ashpra dhe më vonë duke e akuzuar francezin për nxjerrjen e informacioneve në media, para se konflikti të bëhej fizik.
Përtej asaj që Valverde ofron në aspektin sportiv, Real Madridi mund të hezitojë ta shesë edhe për arsye financiare.
Nëse ai del në treg, klubet e tjera mund ta kuptojnë se madrilenët ndihen të detyruar ta largojnë, gjë që do ta dobësonte ndjeshëm pozitën negociuese të klubit.
Valverde ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2029, por po vjen pas një prej sezoneve më të dobëta të tij, përtej problemeve disiplinore./GazetaExpress/