Barcelona fitoi titullin e 29-të në La Liga pasi mposhti mbrëmë Real Madridin me rezultat 2-0 në “Camp Nou”, falë golave të Marcus Rashfordit dhe Ferran Torresit.
Sulmuesi anglez hapi rezultatin në minutën e tetë me një goditje dënimi që e dërgoi në cepin e largët të portës, ndërsa Torresi dyfishoi epërsinë e Barcelonës në pjesën e parë.
Hansi Flick tashmë ka fituar dy tituj të La Ligës në po aq vite, në një mbrëmje emocionale për trajnerin gjerman, i cili udhëhoqi ekipin nga stoli pavarësisht ndarjes nga jeta të babait të tij.
Real Madridi pati vështirësi gjatë gjithë ndeshjes, gjë që nuk ishte befasi për shumëkënd duke marrë parasysh situatën para “El Clasicos”, pasi Federico Valverde përfundoi në spital pas një përleshjeje me Aurelien Tchouamenin.
Rashfordi duket se po e shijon aventurën në Kataloni, pasi ka fituar tashmë Superkupën e Spanjës dhe tani edhe titullin e La Ligës gjatë huazimit të tij nga Manchester Unitedi.
Ende mbetet për t’u parë nëse ai do të transferohet përfundimisht te Barcelona gjatë verës.
Megjithatë, Rashfordi ka arritur diçka që asnjë futbollist anglez nuk e kishte bërë në 41 vitet e fundit – të fitojë La Ligën me Barcelonën.
Anglezi i fundit që fitoi elitën spanjolle me klubin katalanas ishte Steve Archibald në vitin 1985, megjithëse ai nuk ishte lojtari i fundit britanik që tentoi ta arrinte këtë sukses.
Gary Lineker luajti për Barcelonën nga viti 1986 deri në 1989, por nuk arriti ta fitonte La Ligën, pasi të tre titujt në atë periudhë u fituan nga Reali.
Ish-prezantuesi i “Match of the Day” megjithatë fitoi trofe me Barcelonën, duke ngritur Kupën e Mbretit në vitin 1988 dhe Kupën Evropiane të Fituesve të Kupave në vitin 1989.
Rashfordi do të jetë i lumtur që ka fituar titullin e parë kampion në karrierë dhe e ka bërë këtë me Barcelonën, ndërsa shpreson që gjatë verës ta vazhdojë aventurën në qytetin katalanas dhe të shtojë edhe më shumë trofe në koleksionin e tij./GazetaExpress/