Xabi Alonso rikthehet në qendër të “pazarit” të trajnerëve.
Sipas raportimeve nga Spanja dhe nga Anglia, Liverpooli e ka kontaktuar Real Madridin për të marrë informacione rreth trajnerit spanjoll, ndërsa e ardhmja e Arne Slot vazhdon të jetë në dyshim pas një sezoni zhgënjyes të “The Reds”.
Sipas mediave iberike, nuk bëhet fjalë ende për një negociatë konkrete, por drejtuesit e Liverpoolit e kanë kërkuar një përballje dhe informacion të detajuar mbi punën që Alonso e zhvilloi te Real Madridi gjatë aventurës së tij në “Santiago Bernabeu”, përcjell “Gazeta Express”.
Emri i ish-mesfushorit spanjoll vazhdon të ketë peshë të madhe në “Anfield”, aty ku Alonso i kaloi disa nga vitet më të rëndësishme të karrierës si futbollist dhe e fitoi Champions Leaguen me fanellën e Liverpoolit.
Pikërisht lidhja emocionale me klubin anglez e bën profilin e tij shumë tërheqës për tifozët dhe drejtuesit e klubit.
Megjithatë, brenda klubit anglez ekzistojnë ende dyshime.
Drejtuesit e Liverpoolit po e analizojnë me kujdes eksperiencën e Alonsos te Real Madridi, ku aventura e tij përfundoi më herët se sa pritej për shkak të rezultateve të dobëta dhe tensioneve në dhomat e zhveshjes.
Xabi Alonso ishte emëruar trajner i Real Madridit në verën e vitit 2025 si pasues i Carlo Ancelottit, por u largua në janar 2026 pas humbjes në Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës.
Në vend të tij, klubi madrilen e promovoi Alvaro Arbeloan.
Në “Anfield” situata e Arne Slot mbetet delikate. Forma e dobët e Liverpoolit në muajt e fundit e ka shtuar presionin mbi trajnerin holandez dhe klubi po vlerëson alternativa të ndryshme për bankinën.
Për momentin nuk ka një ofertë zyrtare për Alonson, por kontaktet e para tregojnë se emri i tij vazhdon të jetë një opsion serioz për të ardhmen e Liverpoolit. /Gazeta Express