Përdoruesit e Instagramit duhet të tregohen më të kujdesshëm me mesazhet private, pasi platforma ka hequr mbështetjen për enkriptimin “end-to-end” në DM.
Enkriptimi “end-to-end” është një formë mbrojtjeje digjitale që garanton se vetëm dërguesi dhe marrësi mund ta lexojnë përmbajtjen e mesazheve. Me largimin e kësaj mbrojtjeje, mesazhet në Instagram do të mbeten me enkriptim standard, i cili nuk e pengon Meta-n të ketë qasje në biseda, fotografi, video apo mesazhe zanore.
Vendimi përbën një ndryshim të rëndësishëm për kompaninë, e cila më parë kishte deklaruar se komunikimet private duhet të jenë të sigurta. Në vitin 2019, drejtuesi i Meta-s, Mark Zuckerberg, kishte premtuar zgjerimin e enkriptimit në shërbimet e tjera të kompanisë, pas përdorimit prej vitesh në WhatsApp.

Megjithatë, pas disa vitesh testimi dhe përdorimi opsional në Instagram, Meta ka vendosur ta tërheqë këtë funksion. Sipas një përditësimi të kushteve të aplikacionit, mesazhet e enkriptuara “end-to-end” në Instagram nuk do të mbështeten më pas 8 majit 2026. Përdoruesit që kanë biseda të prekura nga ky ndryshim do të udhëzohen se si të shkarkojnë materialet apo mesazhet që dëshirojnë të ruajnë.
Meta ka argumentuar se vendimi lidhet me përdorimin e ulët të këtij funksioni në Instagram. Sipas kompanisë, shumë pak përdorues e aktivizonin enkriptimin “end-to-end” në mesazhet private, ndërsa ata që dëshirojnë komunikim të tillë mund të vazhdojnë ta përdorin në WhatsApp.

Vendimi ka shkaktuar reagime të kundërta. Organizatat për mbrojtjen e privatësisë e kanë cilësuar si hap pas, duke paralajmëruar se heqja e enkriptimit mund të zgjerojë qasjen e kompanive dhe autoriteteve në komunikimet private të përdoruesve.
Nga ana tjetër, grupet për mbrojtjen e fëmijëve e kanë mirëpritur vendimin. Sipas tyre, enkriptimi “end-to-end” krijon hapësira të verbra ku mund të qarkullojnë materiale të dëmshme, përfshirë përmbajtje të lidhura me abuzimin e fëmijëve, ekstremizmin apo gjuhën e urrejtjes.
Rani Govender nga NSPCC u shpreh se platformat nuk duhet ta lënë sigurinë online vetëm në duart e fëmijëve, por duhet të ndërtojnë mekanizma më të fortë dhe proaktivë për të parandaluar dëmet në mesazhet private.

Megjithatë, aktivistët për privatësinë shprehen të shqetësuar se ky ndryshim mund t’i japë Meta-s më shumë akses në të dhënat personale të përdoruesve. Jack Coulson nga Big Brother Watch e cilësoi vendimin si kërcënim për privatësinë dhe si një sinjal shqetësues për drejtimin që po merr sektori teknologjik.
Lajmi ka ngritur gjithashtu pyetje nëse të dhënat nga mesazhet private mund të përdoren në të ardhmen për reklama të targetuara apo për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale. Meta thotë se aktualisht nuk e përdor këtë lloj përmbajtjeje për qëllime të tilla.
Debati mes sigurisë dhe privatësisë pritet të vazhdojë, ndërsa përdoruesit e Instagramit tashmë do të duhet të jenë më të vetëdijshëm për mënyrën se si komunikojnë në mesazhet private. /GazetaExpress/