Sezoni i shtatë i emisionit “She’s On Top” pritet të nisë së shpejti transmetimin në ekranin e Top Channel. Deri më tani, është konfirmuar vetëm emri i moderatores, Sara Gjordeni, e cila ka paralajmëruar një sezon me surpriza dhe risi.
Së fundmi, gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Ed Manushi zbuloi disa detaje të reja rreth përgatitjeve për këtë edicion.
I pyetur nëse Brikena Selmani do të jetë pjesë e jurisë, Manushi u shpreh se ende nuk ka një konfirmim zyrtar, por pranoi se po zhvillohen bisedime intensive me disa personazhe të rëndësishëm.
“Asgjë nuk është e konfirmuar. Jemi në tentativa të forta, sepse ka personazhe të rëndësishëm të këtij edicioni, por edhe të edicioneve të tjera. Jemi në periudhë negociatash dhe vendimmarrjeje”, tha ai.
Megjithatë, Manushi konfirmoi se dy prej anëtarëve të jurisë janë tashmë të vendosur, ndërsa emrat pritet të bëhen publikë brenda pak ditësh.
“Një gjë është e sigurt, dy prej anëtarëve të jurisë janë të konfirmuar. Po presim edhe dy ditë që t’i shpallim”, shtoi ai. /GazetaExpress/