Këngëtari i njohur Adrian Gaxha dhe partnerja e tij, Sidorela Dauti, janë bërë prindër për herë të parë.
Artisti, i cili prej kohësh ka zgjedhur ta mbajë jetën private larg vëmendjes publike, e ndau lajmin e bukur me ndjekësit përmes një postimi në Instagram. Ai publikoi një fotografi të ëmbël, ku shihet dora e të porsalindurit duke shtrënguar lehtë dorën e prindërve.
“Mirë se vjen”, shkroi Adriani krahas postimit, duke konfirmuar kështu ardhjen në jetë të fëmijës së tij.

Lajmi u prit me shumë ngrohtësi nga ndjekësit, miqtë dhe kolegët e artistit, të cilët e uruan çiftin për këtë moment të veçantë. Mes urimeve nuk munguan edhe emra të njohur të showbiz-it, si Blero Muharremi, Argjentina Ramosaj, Vesa Smolica dhe Egzona Rafuna.
Pak javë më parë ishte raportuar se Adriani dhe Sidorela ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë, pas kurorëzimit të dashurisë larg vëmendjes mediatike.
Me ardhjen në jetë të bebit, çifti ka nisur një kapitull të ri dhe të rëndësishëm në jetën e tyre. /GazetaExpress/