Gjykata Themelore në Prishtinë, ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale, për vendosjen e paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar ndër tjerash, për ryshfet.
Gjykata ka njoftuar edhe se ndaj të dyshuarve, është vendosur masa e arrestit shtëpiak për një muaj, përcjell Gazeta Express.
”Masa e arrestit shtëpiak të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin duke u llogaritur nga data 06.05.2026 deri me datë 05.06.2026”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi:
Prishtinë, 08 Maj 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve N.K., N.R., Sh.S., H.M., H.M., V.G., dhe A.P., të dyshuar për shkak të veprave penale Marrja e ryshfetit, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Dhënia e ryshfetit si dhe veprës penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhënia e ryshfetit.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve N.K., N.R., Sh.S., H.M., H.M., V.G., dhe A.P. ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Masa e arrestit shtëpiak të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin duke u llogaritur nga data 06.05.2026 deri me datë 05.06.2026.
Të pandehurit gjatë kohëzgjasjes së masës, nuk guzojnë të largohen nga vendbanimet e tyre , përjashtimisht nëse lejohet nga gjykata nëse kjo është e domosdoshme, ndërsa gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit pa leje të gjykatës largohen nga vendbanimet e tyre.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë