Pas kualifikimit të Paris Saint-Germainit në finalen e Champions League, festimet në Paris janë shndërruar në incidente të rënda dhe përplasje me forcat e rendit.
Sipas raportimeve nga autoritetet franceze, gjatë natës së festimeve janë regjistruar 127 persona të ndaluar, ndërsa 11 të plagosur, mes tyre edhe një në gjendje më të rëndë, përcjell “Gazeta Express”.
Po ashtu, 23 policë kanë pësuar lëndime të lehta gjatë ndërhyrjeve për ta kontrolluar situatën.
Ngjarjet nisën menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bayern Munich – PSG, kur mijëra tifozë dolën në rrugët e kryeqytetit francez për ta festuar kalimin në finale.
Fillimisht festimet u karakterizuan nga flamuj, fishekzjarrë dhe kore, por shumë shpejt situata u përshkallëzua me përdorim të mjeteve piroteknike, djegie objektesh dhe përplasje me policinë.
Forcat e rendit ndërhynë në disa zona të Parisit për t’i shpërndarë turmat dhe për t’i parandaluar dëmtimet e mëtejshme, ndërsa disa akse kryesore të qytetit u bllokuan për arsye sigurie.
Autoritetet franceze kanë deklaruar se do të ketë masa të forta sigurie edhe për festimet e ardhshme, përfshirë edhe finalen e Champions League, për ta shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme. /Gazeta Express