Një intervenim kompleks kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Mitrovicës.
Spitali njofton se operacioni është kryer tek një pacient nga qyteti i Mitrovicës, i cili vuante nga një masë tumorale me përmasa të konsiderueshme.
Ndërhyrja u realizua nga mjekët e Repartit të Kirurgjisë, në bashkëpunim me ekipin e Anesteziologjisë.
“Pacienti u diagnostikua me Liposarcoma permagna regio thoraco-abdominalis (pars lumbalis) l.sin (Tumor malinj i indit dhjamor me përmasa shumë të mëdha në regjionin e gjoksit dhe barkut, konkretisht në pjesën e mesit, në anën e majtë).Tumori kishte një shtrirje mjaft invazive, nga këndi i poshtëm i sqetullës së majtë (axilla), deri te pjesa e sipërme e kockës së legenit në anën e majtë (crista iliaca anterior superior)”. njofton spitali.
Ky operacion sfidues u krye me profesionalizëm nga ekipi i mjekëve: Specialistët e kirurgjisë: Dr. Ilir Hajzeri, Dr. Muhamet Musa dhe Dr. Albert Miftari. Anesteziologët: Dr. Fatmir Ujkani dhe Dr. Arbër Bardhaj. Instrumentaret: Medina Pllana dhe Fidane Brahimi Sejdiu, si dhe tekniku i anesteziologjisë Petrit Boja”, thonë nga spitali.
Gjithashtu në njoftim theksohet se tumoret e këtyre përmasave kërkojnë saktësi të lartë kirurgjike për shkak të afërsisë me organet vitale dhe strukturat vaskulare (enët e gjakut).
“Pas përfundimit me sukses të procedurës, monitorimit dhe kujdesit për disa ditë, pacienti është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”.
