Në varësi të këndvështrimit, trupa e baletit drag Les Ballets Trockadero de Monte Carlo mund të shihet si një spektakël i lehtë plot humor, si një shaka e brendshme për adhuruesit e baletit, ose si një pyetje më e thellë mbi vetë natyrën e baletit dhe të bukurisë.
E njohur shkurt si Trocks, kompania është aktive që prej vitit 1974. Për më shumë se pesë dekada, gjatë të cilave perceptimi për drag-un dhe gjininë ka ndryshuar ndjeshëm, kjo trupë me 14 balerinë, të gjithë burra, ka vijuar të ngjitet në skenë me tutu, këpucë pointe dhe grim teatral, duke interpretuar kryesisht pjesë nga repertori klasik i baletit, si “Liqeni i Mjelmave” apo “Paquita”.
Ajo që i bën të veçantë është mënyra se si ndërthurin komedinë fizike dhe ekzagjerimin teatral me një dashuri dhe njohje të thellë të artit të baletit. Performanca është njëkohësisht e drejtpërdrejtë dhe e rafinuar, një ekuilibër i hollë mes parodisë dhe respektit për figurën ideale të balerinës klasike.
Trocks tallen me klishetë e baletit, por në të njëjtën kohë arrijnë të realizojnë fouetté, arabesque dhe punë të shpejtë në pointe me një saktësi mbresëlënëse. Pikërisht këto arritje teknike duken edhe më të fuqishme, sepse në skenë nuk shfaqen balerina të paarritshme e “jashtëtokësore”, por trupa reale, me papërsosmëritë e tyre. Kjo e bën edhe më të qartë se sa i vështirë është baleti dhe sa e jashtëzakonshme është dëshira për ta bërë atë.

Por çfarë është, në fund të fundit, përsosmëria? Pse një trup konsiderohet “i duhuri” për balet dhe një tjetër jo? Pse një kënd, një vijë trupore apo një proporcion i caktuar shihet si më i bukur? Sa nga ajo që quajmë bukuri është e lindur dhe sa është rezultat i konventave kulturore?
Balerini i shkëlqyer Takaomi Yoshino, me aftësitë e tij teknike, mund t’i afrohet më shumë figurës klasike të balerinës. Megjithatë, një nga kërcimtarët më të gjatë dhe më pak tradicionalisht “femërorë”, Andrea Fabbri, me syze cat-eye dhe tutu, lëviz me aq elegancë dhe gjallëri sa bëhet kënaqësi absolute për t’u parë.
Trocks nuk kufizohen vetëm te repertori klasik. Ata sjellin edhe vepra të reja, si “Metal Garden” e Séan Curran, një parodi e baletit bashkëkohor me lycra dhe paruke kaçurrela, që funksionon natyrshëm si komedi. Edhe pa njohuri të thella për kërcimin, publiku mund të dallojë modelet vizuale, sinjalet sociale dhe të qeshë kur ato kthehen përmbys.
Por, përtej humorit, shfaqja të shtyn të mendosh edhe për arsyen pse e shohim vallëzimin, cilat cilësi kërkojmë në skenë dhe pse njerëzit u përkushtohen gjërave kaq të pazakonta, duke gjetur aty kënaqësi dhe kuptim.
Në pamje të parë, gjithçka duket shumë e thjeshtë. Në të vërtetë, është jashtëzakonisht e sofistikuar. Pikërisht për këtë arsye Les Ballets Trockadero de Monte Carlo vazhdojnë të funksionojnë edhe pas kaq shumë vitesh: si pantomimë argëtuese, por edhe si diçka shumë më e thellë. /GazetaExpress/