Ushtarët rusë në Ukrainë po vdesin në numër shumë të lartë, thonë zyrtarët ukrainas, duke sugjeruar se mund të bëhet fjalë për një nga raportet më vdekjeprurëse mes të vrarëve dhe të plagosurve në luftërat moderne.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi më 10 mars se, sipas vlerësimeve të inteligjencës, “62 për qind e humbjeve ruse janë të vrarë, ndërsa 38 për qind të plagosur”, një raport pothuajse 2 me 1, shkruan Kyiv Independent.
Një burim nga Zyra e Presidentit të Ukrainës, i njohur me të dhënat, tha për Kyiv Independent se ky ndryshim përfaqëson një kthesë të madhe krahasuar me fazat e mëparshme të luftës.
“Deri në vitin 2025, rreth 35 për qind e humbjeve ruse ishin të vrarë”, tha burimi, që korrespondon me një raport 1 me 2. Sipas tij, shifrat e reja bazohen në vlerësime të ndara të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe inteligjencës ushtarake ukrainase (HUR).
Kyiv Independent nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra, ndërsa të dhënat për humbjet mbeten ndër më të vështirat dhe më të ndjeshmet politikisht në këtë luftë. Autoritetet ruse nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare për humbjet që nga muajt e parë të pushtimit.
Sipas një raporti të qendrës së pavarur CSIS (Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare), forcat ruse nga shkurti 2022 deri në dhjetor 2025 kanë pësuar rreth 1.2 milion viktima, përfshirë të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur.
CSIS vlerëson se në të njëjtën periudhë janë vrarë mes 275,000 dhe 325,000 ushtarë rusë, duke i cilësuar këto humbje si të paprecedenta për një fuqi të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, këto shifra mesatare nuk pasqyrojnë faktin se lufta është bërë më vdekjeprurëse muajt e fundit, sidomos për shkak të përdorimit të dronëve.
Në shumicën e luftërave moderne, përparimi i mjekësisë ushtarake ka bërë që të plagosurit të jenë shumë më të shumtë se të vrarët. Eksperti ushtarak Mick Ryan thekson se historikisht raporti ka qenë rreth një i vrarë për çdo tre deri në pesë të plagosur.
Profesori i studimeve strategjike Phillips O’Brien thotë se kushtet në Ukrainë mund ta kenë përmbysur këtë trend historik. Ai shton se lufta aktuale mund të jetë shumë larg normave historike, për shkak të teknologjisë së dronëve dhe vështirësive ekstreme për evakuimin e të plagosurve.
Një nga krahasimet më të afërta historike është Lufta Iran–Irak e viteve 1980, ku raporti i të vrarëve dhe të plagosurve ishte rreth 1 me 3. Edhe në Luftën e Parë Botërore, raporti ishte rreth 1 me 2, ndërsa në disa periudha të Luftës së Dytë Botërore mund të ketë qenë i ngjashëm.
Sipas ekspertëve, lufta në Ukrainë është bërë edhe më vdekjeprurëse për shkak të përdorimit masiv të dronëve FPV.
Këta dronë sulmojnë këmbësorinë, automjetet dhe ekipet e evakuimit, duke e bërë shpëtimin e të plagosurve shpesh të pamundur dhe duke rritur ndjeshëm numrin e viktimave në fushëbetejë.