Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka komentuar çmimet e larta të biletave për finalen e Kupës së Botës 2026, duke e bërë edhe një batutë që e ka bërë xhiron e mediave.
“Nëse disa persona vendosin në shitje bileta për finalen me çmim 2 milionë dollarë në tregun sekondar, kjo nuk do të thotë që ato bileta kushtojnë realisht 2 milionë”, theksoi ai gjatë një konference në Beverly Hills, në Kaliforni, përcjell “Gazeta Express”.
“Dhe në radhë të dytë, nuk do të thotë aspak që dikush do t’i blejë. Por nëse dikush do ta blejë vërtet një biletë me atë çmim, do t’ia çoj personalisht një hot-dog dhe një Coca-Cola për t’u siguruar që ta kalojë një mbrëmje të shkëlqyer”, shtoi numri një i FIFA-s me tone ironike.
Infantino u ndal edhe te çështja e çmimeve, duke shpjeguar se ato lidhen me tregun amerikan dhe kërkesën e jashtëzakonshme për këtë event.
“Duhet ta marrim parasysh tregun: jemi në vendin ku industria e argëtimit është më e zhvilluara në botë dhe duhet ta aplikojmë çmimet e tregut”, deklaroi ai.
Infantono shtoi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rishitja e biletave është e lejuar dhe, nëse FIFA do t’i shiste ato me çmime më të ulëta, ato gjithsesi do të përfundonin në tregun sekondar me vlera shumë më të larta, shpesh edhe më shumë se dyfishi.
Interesimi për Botërorin 2026 është i jashtëzakonshëm, me mbi 500 milionë kërkesa për bileta deri tani, ndërsa për të gjitha 104 ndeshjet parashikohet “sold out”. /Gazeta Express