Arsenali është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve, për sezonin 2025/26.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta e ka prerë biletën për në Budapest, pas fitores 1-0 ndaj Atletico Madridit në “Emirates”, duke siguruar finalen pas rezultatit të përgjithshëm prej 2-1.
Golin e fitores për Arsenalin e shënoi kapiteni Bukayo Saka, shkruan “Gazeta Express”.

Ylli anglez e gjeti golin në minutën e 45-të, pasi u gjend më së miri në zonë, pasi goditja e Leandro Trossardit u ndalë nga Jan Oblaki dhe ra në këmbët e Sakas.
Ky ishte rasti i vetëm i pjesës së parë, pasi gjatë tërë 45-minutëshit të parë pati vetëm disa gjysmë-raste, teksa posedimi ishte i Arsenalit.

Mirëpo, pjesa e dytë nisi më furishëm për Atleticon, i cili pati disa raste të mira shënimi.
Më i miri ndër to ishte ai i Giuliano Simeones, i cili dështoi të shënoi në portën bosh, pasi u ndalë nga Gabriel i Arsenalit, me një ndërhyrje nga mbrapa.
Arsenali më tutje rrezikoi me Viktor Gyokeresin një herë, mirëpo që goditja e tij shkoi pak mbi portën e Oblakut.

Deri në fund, gola nuk pati, dhe kështu Arsenali e siguroi finalen e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2006.
Në finalen e Budapestit, e cila luhet më 30 maj, Arsenali do ta presë fituesin e ndeshjes Bayern Munich – PSG.
Ndeshja e parë e luajtur në Paris përfundoi 5-4 në të mirë të PSG-së, me ndeshjen e nesërme që luhet në “Allianz Arena” në Mynih./GazetaExpress/