UEFA e ka zyrtarizuar trupën e referimit për një nga sfidat më të mëdha të sezonit në Champions League.
Ndeshja e kthimit e gjysmëfinales mes Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain do të drejtohet nga referi portugez João Pinheiro, shkruan “Gazeta Express”.
Takimi, që do të zhvillohet të mërkurën në Mynih, vjen pas spektaklit të ndeshjes së parë, ku PSG triumfoi me rezultatin 5-4, duke lënë gjithçka të hapur për kualifikimin.
Pinheiro do të asistohet nga bashkëkombësit e tij Bruno Jesus dhe Luciano Maia, ndërsa arbitër i katërt do të jetë norvegjezi Espen Eskas.
Në dhomën e VAR-it do të jetë italiani Marco Di Bello, i ndihmuar nga portugezi Tiago Martins.
Për gjyqtarin portugez bëhet fjalë për një tjetër emërim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke e konfirmuar besimin e UEFA-s për ndeshje të nivelit më të lartë.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër mes Arsenalit dhe Atletico Madridit do të gjykohet nga gjermani Daniel Siebert.
Një përballje që pritet të jetë spektakolare, ku çdo detaj – përfshirë edhe referimin – mund të ketë peshë vendimtare në garën për finalen e madhe të Championsit. /Gazeta Express