Në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (Energy Regulators Regional Association (ERRA)), e mbajtur më 28 prill 2026 në Bratislavë të Sllovakisë, Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të sektorit të energjisë.
Kosova, e cila më parë kishte statusin e anëtares së asociuar në ERRA, tashmë është pranuar me të drejta të plota, duke përfshirë të drejtën e votës dhe pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje dhe politikat rregullatore rajonale e ndërkombëtare.
“Anëtarësimi me të drejta të plota përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale, duke mundësuar pjesëmarrje të plotë në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës, si dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin dhe avancimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”.
Sipas Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ky është një hap i rëndësishëm institucional që dëshmon përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në sektorin e energjisë dhe forcimin e rolit të saj në bashkëpunimet profesionale ndërkombëtare.
“Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e qëndrueshëm dhe angazhimin aktiv të ZRRE-së në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, si dhe kontributin e vazhdueshëm të ekspertëve të saj në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s”, thuhet në komunikatë.