Alban Skënderaj ka prezantuar albumin e tij më të ri “Rrënjët”, të cilin e konsideron një nga momentet më të rëndësishme në karrierën artistike.
I ftuar në emisionin “Ndryshe”, ai tregoi se ky projekt është frymëzuar edhe nga koncertet dhe takimet me publikun, të cilat i dhanë mundësinë të kuptojë më thellë ndikimin e muzikës së tij dhe lidhjen emocionale me fansat.
Sipas artistit, “Rrënjët” përfaqëson një kthim te identiteti dhe origjina, duke ndërthurur tinguj modernë pop me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Ai theksoi se këtë herë ka krijuar pa presion dhe pa kalkulime, duke u fokusuar te autenticiteti dhe ndjeshmëria artistike.
Skënderaj pranoi se albumi lidhet ngushtë edhe me rrënjët e tij labe, por në të njëjtën kohë përfshin ndikime nga e gjithë treva shqiptare – veriu, jugu dhe Shqipëria e mesme.
Ai shtoi se ky projekt reflekton më shumë periudhën e jetës së tij përpara emigrimit, duke rikthyer kujtime nga fëmijëria, familja dhe festat tradicionale.
Ndryshe nga më parë, kur u ndikua nga fryma perëndimore dhe muzika italiane pas rikthimit në Shqipëri, këtë herë ai ka zgjedhur të kthehet te burimi i tij artistik dhe kulturor. /GazetaExpress/