Liga e Kampionëve do të vazhdojë me një tjetër sfidë të madhe gjysmëfinale.
Sytë e të gjithëve do të jenë të kthyer kah Spanja ku Atletico Madridi do ta mirëpresë Arsenalin.
Një duel që premton tension, taktikë, por edhe spektakël, shkruan “Gazeta Express”.
Në njërën anë është Diego Simeone, mjeshtri i organizimit defanziv dhe disiplinës taktike.
Ndërsa në anën tjetër Mikel Arteta, që e ka ndërtuar një Arsenal modern, të shpejtë dhe dominues me topin.
Atlético mbështetet te fortesa e tij në shtëpi dhe përvoja në ndeshje të mëdha, ndërsa Arsenali vjen me besim të madh pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Evropë.
“Los Colchoneros” e kanë humbur vetëm 1 nga 12 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions.
Kurse, “Gunners” e kanë një mesatare prej 2.3 golash për ndeshje në këtë edicion, ndërsa kanë shënuar në 9 ndeshje radhazi në Evropë.
Atlético, nga ana e tij, e ka mbajtur portën e paprekur në 5 nga 8 ndeshjet e fundit në shtëpi
Këto shifra e tregojnë qartë përplasjen klasike: mbrojtje e hekurt kundër një sulmi të fuqishëm.
Për vendasit, shumë do të varet nga forma e Antoine Griezmann dhe eksperienca e Jan Oblak në portë.
Në anën tjetër, Arsenal mbështetet te kreativiteti i Martin Ødegaard dhe shpërthimet e Bukayo Saka, që kanë qenë vendimtarë gjatë gjithë sezonit.
Por, do të mungojë ylli tjetër, Kai Havertz.
Simeone u shpreh në konferencë për shtyp: “Duhet të vuajmë si ekip dhe ta shfrytëzojmë çdo moment. Këto janë ndeshje që vendosen nga detajet.”
Ndërsa Arteta theksoi: “Kemi ardhur deri këtu për të fituar. E respektojmë Atléticon, por do ta luajmë lojën tonë.”
Pra, pritet një ndeshje shumë taktike, me Atléticon që do të kërkojë t’i mbyllë hapësirat dhe të godasë në kundërsulm.
Kurse, Arsenali do ta tentojë kontrollin e lojës dhe dominimin me posedim.
Kjo ndeshje do të fillojë në orën 21:00. /Gazeta Express