Ardhja e Kylian Mbappés te Real Madridi nuk e ka sjellë ende rritjen e pritur në aspektin ofanziv.
Pavarësisht 24 golave të sulmuesit francez në La Liga dhe kontributit të lojtarëve si Vinícius Júnior (13 gola) dhe Federico Valverde (5 gola), rendimenti i përgjithshëm mbetet nën standardet historike të klubit.
“Los Blancos” i kanë realizuar vetëm 68 gola pas 33 javësh në kampionat, një shifër e konsideruar e ulët për një ekip të këtij niveli, shkruan “Gazeta Express”.
Krahasimi dhe dallimi me Barcelonën është i madh: katalunasit i kanë shënuar 87 gola, duke e krijuar një diferencë të madhe në prodhim ofanziv.
Problemi duket i vazhdueshëm që nga largimi i Cristiano Ronaldos.
Para largimit të portugezit, Real Madridi e kalonte rregullisht kuotën e 80 golave në këtë fazë të sezonit, ndërsa në vitet pasuese është luhatur mes 59 dhe 71 golave.
Edhe pse Mbappé vazhdon të japë rendiment individual, këto shifra tregojnë se skuadra ende nuk ka arritur ta rikthejë fuqinë sulmuese kolektive të epokës së artë me CR7. /Gazeta Express