Hansi Flick ka më shumë arsye për të buzëqeshur se kurrë.
Barcelona është shumë pranë konfirmimit si kampione e La Ligas, ndërsa për trajnerin gjerman vijnë edhe dy lajme të rëndësishme nga infermieria.
Pas fitores 2-0 ndaj Getafes dhe barazimit të Real Madridit ndaj Betisit, Barcelona e ka krijuar një avantazh prej 11 pikësh në krye të tabelës, duke e bërë titullin gjithnjë e më të afërt.
Por përveç situatës së favorshme në kampionat, Flick e merr edhe një shtysë të madhe nga rikthimet e dy lojtarëve kyç: Raphinha dhe Marc Bernal.
Sipas raportimeve nga Spanja, të dy lojtarët pritet të rikthehen në stërvitje me grupin në fillim të javës së ardhshme, përcjell “Gazeta Express”.
Objektivi është që ata të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Osasunës, e cila mund të rezultojë vendimtare në garën për titull.
Raphinha është rikuperuar nga një dëmtim në bicepsin femoral që e mbajti jashtë fushave për disa javë, ndërsa Bernal është rikthyer pas një dëmtimi në kyçin e këmbës, me proces më të ngadaltë rikuperimi.
Barcelona ndërkohë po hyn në fazën finale të sezonit me vetëm disa mungesa në skuadër, ku mbeten jashtë Lamine Yamal dhe Andreas Christensen.
Nëse rezultatet shkojnë në favor të katalunasve dhe Real Madridi nuk arrin ta fitojë ndeshjen e tij, Barcelona mund ta sigurojë matematikisht titullin e La Ligas me disa javë para fundit të sezonit – një skenar që do ta kurorëzonte punën e Flick në mënyrën më të mirë të mundshme. /Gazeta Express