Nafta që trazoi të gjithë - Gazeta Express
string(25) "nafta-qe-trazoi-te-gjithe"

Lajme

Gazeta Express

27/04/2026 7:57

Nafta që trazoi të gjithë

Lajme

Gazeta Express

27/04/2026 7:57

Në muajt e parë të vitit, në Kosovë janë importuar mbi 200 milionë litra karburant, me vlerë 133 milionë euro dhe mbi 105 milionë euro të hyra nga taksat doganore. Ndërsa vitin e kaluar u importuan rreth 530 milionë euro naftë dhe benzinë.

Në një kohë kur miliona euro derdhen në buxhet nga taksat mbi karburantet, një tjetër realitet po zhvillohet paralelisht: qytetarët paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë për të njëjtin litër, ndërsa qeveria vazhdon të qëndrojë pa ndërhyrje në akcizë dhe TVSH.

Mes krizës globale dhe vendimmarrjes lokale, nafta është kthyer në një nga temat më të nxehta ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Vendi nuk ka rafineri nafte dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Gjatë periudhës janar–prill, mbi 200 milionë litra karburant janë importuar në vend, me vlerë totale rreth 133 milionë euro.

Nga këto importe, shteti ka arkëtuar rreth 105 milionë euro nga taksat doganore, duke dëshmuar peshën e jashtëzakonshme që kanë derivatet në të hyrat buxhetore.

Burimet kryesore të furnizimit mbeten vendet arabe dhe rajoni – Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Greqia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Gjermania, duke reflektuar varësinë e lartë nga tregjet ndërkombëtare, veçanërisht jashtë rajonit.

Kurse vitin e kaluar, sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, u importuan rreth 530 milionë euro naftë dhe benzinë.

Për këto derivate, rreth 350 milionë euro janë tatim për akcizën dhe mbi 157 milionë euro për TVSH-në.

Aktualisht, çmimi maksimal i naftës ka arritur në 1.89 euro për litër, ndërsa benzina mbetet në 1.46 euro. Këto çmime të larta janë përjetuar për herë të parë në Kosovë.

Ulja mund të ndodhë, pas armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit. Por kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, e sheh këtë si një zhvillim të përkohshëm

“Armëpushimi i fundit mes SHBA-së dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës… Megjithatë, ky mund të jetë një reagim afatshkurtër. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë.”

Qeveria, mes pritjes dhe hezitimit

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur një qasje të kujdesshme, duke aplikuar vetëm mekanizmin e çmimeve tavan dhe marzhit të fitimit, pa ndërhyrje në taksa.

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, shprehet optimiste për stabilizim, edhe pse deri më tani nuk është marrë asnjë masë.

“Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdojë ditëve në vijim, ky mekanizëm yni deri tani ka dhënë rezultatet e veta… nuk do të lejoj të shkohet mbi normën e përcaktuar.”

Edhe pse çmimi i naftës u rrit me 30% nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, ministrja Mimoza Kusari-Lila, tha se prekjen e akcizës e sheh si veprim të fundit.

“TVSH po hezitojmë ta heqim pasi, kur ka pasur ulje të tatimit për gastronominë, kur është zbritur TVSH nuk janë ulur çmimet. Kjo është praktikë e zakonshme, ku shteti e heq mbledhjen e TVSH-së, nuk i ngarkon bizneset, por ato mund të mbajnë të njëjtën vlerë të çmimit.

E vetmja që mund të monitorohet është që paralel me masën potenciale, e cila ende nuk ka ardhur, mund të kemi edhe masën e monitorimit të çmimit për derivate”.

Edhe kryeministri Albin Kurti e refuzon uljen e akcizës apo TVSH-së.

“Në pamje të parë, kjo duket si zgjedhje e thjeshtë dhe e shpejtë, por në realitet është zgjedhje e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt.”

Çmimet e karburanteve në Kosovë u rritën më shumë se 30%  nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, por Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë masë fiskale për ta lehtësuar barrën për qytetarët.

Teksa Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ulur akcizën dhe TVSH-në për të ndihmuar konsumatorët, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim vetëm për caktimin e marzhit të fitimit për tregtarët, masë që nuk i ul çmimet, por vetëm parandalon abuzimet.

Ekspertët: Masat konkrete mungojnë

Ekonomistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile janë dukshëm më kritikë ndaj kësaj qasjeje.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, vlerëson se qasja aktuale e Qeverisë është e pamjaftueshme dhe se përvojat ndërkombëtare po shpërfillen.

“Për fat të keq, në Kosovë flitet dhe jepen rekomandime të ndryshme, mirëpo ato rekomandime nuk zbatohen. Përvojat e vendeve në rajon dhe përvojat europiane kanë treguar që më efektivja për momentin është ngrirja periodike apo e përkohshme, qoftë e akcizës, qoftë e TVSH-së. Këtë e ka bërë Kroacia, këtë e ka bërë Maqedonia e Veriut dhe e kanë bërë shumë shtete europiane, por të gjitha këto përvoja, si duket, në Kosovë nuk iu duhen”.

Sipas tij, mekanizmi aktual i çmimeve tavan nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar efekt real në treg.

“Një strategji të cilën e kanë krijuar me çmimin tavan, besoj që është e pamundur të jetë funksionale. Çmimet variojnë disa herë brenda ditës, ndërsa Kosova nuk ka sistem të digjitalizimit dhe ka mungesë të theksuar të inspektorëve të tregut. Në këto kushte, kontrolli real bëhet pothuajse i pamundur.”

Ai paralajmëron se, në mungesë të një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë, situata do të vazhdojë të rëndojë qytetarët dhe bizneset.

“Më efektivja për momentin është ngrirja periodike apo e përkohshme, qoftë e akcizës, qoftë e TVSH-së… por të gjitha këto përvoja, si duket, në Kosovë nuk iu duhen.”

Në të njëjtën linjë kritike është edhe profesori i makroekonomisë, Shkumbin Misini, i cili vlerëson se reagimi institucional ka qenë i vonuar dhe jo i përshtatshëm për situatën.

“Qeveria është dashur që nga dita e tretë të bëjë ndryshime radikale në politikën fiskale. Nuk mund të presësh që tregu të vetërregullohet në një krizë globale të këtij niveli.”

Ai thekson se mungesa e masave konkrete po përkthehet në rritje të drejtpërdrejtë të kostos së jetesës.

“Në vend se t’ia lehtësojë jetën qytetarit, po ua vështirëson. Çmimet nuk do të ndalen së rrituri dhe kjo do të reflektohet në çdo sektor – nga ushqimi, te transporti dhe energjia.”

Sipas Misinit, nëse tensionet ndërkombëtare vazhdojnë, situata mund të përkeqësohet edhe më tej.

Fermerët dhe qytetarët duan veprime konkrete

Në terren, ndikimi është më i drejtpërdrejtë. Fermerët janë ndër më të goditurit, pikërisht në sezonin e mbjelljeve pranverore.

Fermeri Gani Dobratiqi përshkruan rritjen drastike të kostove.

“Vitin e kalum… ka kushtu diku maksimum 30 deri në 40 euro. Kurse këtë vit ka me mbrri deri në 100 euro. Nëse shteti nuk u del në ndihmë, shumica e fermerëve do të zvogëlojnë sipërfaqet me të mbjella.”

Dhe nafta nuk është problemi i vetëm sipas tij.

“Një dugë sanë vitin e kalum ka kushtu 1 euro… këtë vit ka mbërri deri në 5 euro. Qeveria mundet me heq ndonjë akcizë a TVSH… me ndihmu pak shtetin”.

Fermerët thonë se rritja e çmimit të naftës po i godet drejtpërdrejt në sezonin më të rëndësishëm të punës, duke rrezikuar edhe prodhimin.

Një fermer nga Dukagjini tregon se kostot janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar:

“Nafta na ka qit në hall. Vetëm për një ditë pune me traktor po shpenzojmë shumë ma tepër se vitin e kalum. Aty ku na ka kushtu 30-40 euro për një hektar, tash po shkon deri në 100 euro. Kjo është barrë e papërballueshme për neve.”

Ai thotë se për shkak të çmimeve të larta, shumë fermerë po detyrohen të zvogëlojnë sipërfaqet e mbjella.

“Nëse vazhdon kështu, s’kemi zgjidhje tjetër veç me mbjellë ma pak. Nuk ia vlen me punu kur kostoja është kaq e lartë e fitimi i pasigurt.”

Sipas tij, problemi nuk është vetëm nafta, por një zinxhir i tërë shpenzimesh që janë rritur:

“Nafta, plehnat, farat, ushqimi i kafshëve – krejt janë shtrejtu. Nuk është veç një problem, janë disa bashkë që na kanë kap. Në fund, krejt kjo ka me u reflektu edhe te çmimet për qytetarët.”

Nga Organizata “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku kërkon një qasje më të drejtë dhe më të balancuar nga institucionet, duke theksuar se barra e krizës nuk mund të mbetet vetëm mbi qytetarët.

“Qeveria e din shumë mirë që atë akcizë dhe TVSH që e kemi paguar ne më përpara, mund ta paguajmë edhe sot në vlerë nominale, pa përqindje shtesë. Kjo do të ishte një mënyrë e drejtpërdrejtë për ta stabilizuar situatën dhe për ta lehtësuar barrën për qytetarët, por fatkeqësisht nuk po shohim vullnet për një hap të tillë.”

Sipas tij, problemi nuk është mungesa e opsioneve, por mungesa e gatishmërisë për t’i zbatuar ato.

“Qeveria nuk do ta bëjë këtë, sepse ka politikat e veta fiskale dhe interesat buxhetore. Por në një situatë krize, shteti nuk mund të sillet vetëm si mbledhës i të hyrave, duhet të jetë edhe mbrojtës i qytetarëve.”

Z. Kaçaniku thekson se aktualisht, qytetarët po paguajnë dyfish – si konsumatorë dhe si kontribuues në buxhet.

“Sot qytetari po e paguan çmimin e lartë në pompë, por njëkohësisht po e mbush edhe buxhetin përmes taksave të njëjta. Kjo krijon pabarazi të madhe dhe ndjenjë padrejtësie sociale.”

Ai kërkon që shteti të ndajë përgjegjësinë në mënyrë më të drejtë.

“Qeveria duhet të ndajë përgjegjësi me ne. Nuk është e drejtë që e gjithë barra e krizës të bjerë mbi qytetarin, ndërkohë që shteti vazhdon të përfitojë nga çdo litër i shitur.” Në fund, Kaçaniku paralajmëron se pa ndërhyrje konkrete, pasojat do të jenë më të gjera sesa vetëm te çmimi i naftës.

Nga më pak se 300 mijë në vitin 2020, numri i veturave në Kosovë u rrit në mbi 400 mijë në vitin 2024. Të dhëna më të reja nuk ka, por të dhënat e fundit tregojnë se edhe numri i automjeteve transportuese, si kamionët, është i konsiderueshëm. /Monitor

Advertisement
Advertisement
Advertisement