Tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar tretman mjekësor në Urgjencën e Podujevës pasi dyshohet se shpërtheu bombola e gazit në një lokal në Podujevë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se rasti ka ndodhur në rrugën “4 Dëshmorët” në Podujevë.
“Sot rreth orës 08:30, në një lokal në rrugën ‘4 Dëshmorët’ në Podujevë, ka ndodhur një shpërthim. Zyrtarët policorë janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet që shpërthimi ka ardhur nga një bombolë gazi, ku tre persona kanë pësuar lëndime. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në urgjencën e qytetit”, tha Ahmeti.
Ahmeti shtoi se Policia është në vendngjarje dhe po merret me trajtimin e rrethanave të ngjarjes.