“Algoritmet grabitqare”, mashtrime varfëruese - Gazeta Express
string(42) "algoritmet-grabitqare-mashtrime-varferuese"

OP/ED

Gazeta Express

27/04/2026 12:15

“Algoritmet grabitqare”, mashtrime varfëruese

OP/ED

Gazeta Express

27/04/2026 12:15

Robert Shiller1 nobelist në ekonomi konkludon se: “Algoritmet grabitqare janë projektuar për të gjetur pikën e dobët të psikologjisë njerëzore, që të gllabërojnë kursimet para se rregullatorët të kuptojnë çfarë ndodhi”.

Prof. Nouriel Roubini2, i njohur për parashikimin e krizës globale të vitit 2008 thekson se: “Inteligjenca Artificiale në financë është një thikë me dy tehe: ajo mund të rrisë eficiencën, por në duart e ‘peshkaqenëve’ kthehet në një mjet për të manipuluar sjelljen njerëzore dhe për të fshehur rreziqet sistemike nëpërmjet algoritmeve grabitëse”. Fitimet e larta dhe të shpejta shërbejnë si një “karrem” digjital i parezistueshëm. Shqetësimi ynë rritet sepse në tregjet financiare po përjetojnë një paradoks të rrezikshëm: ndërsa inovacioni premton demokratizim të investimeve, ai po mpreh dhëmbët e një specieje të re grabitqare që operon në hije.

Sot, “peshkaqenët” e tregut nuk fshihen më pas kontratave me shkrim të imët apo zyrave luksoze, por pas algoritmeve të sofistikuara dhe Inteligjencës Artificiale (IA) që gllabërojnë me shpejtësi marramendëse kursimet e qytetarëve pa njohuri për investimet euforike.

Në këtë realitet të ri, rreziku është rritur në mënyrë eksponenciale sepse IA po keq përdoret për të krijuar:

(i) asimetri informacioni;

(ii) (për të shfrytëzuar mungesën e theksuar e edukimit financiarë dhe +

(iii) për të shfrytëzuar dobësitë tona psikologjike.

Dimensioni i këtij mashtrimi është tashmë një pandemi financiare globale me shifra tronditëse. Rreth 1.6 trilionë dollarë humbasin çdo vit nga mashtrimet financiare në rang botëror.

Këto nuk janë thjesht statistika; ato përfaqësojnë djersën dhe mundin e miliona familjeve. Humbja mesatare për një individ në këto skema luhatet nga 10,000 deri në 50,000 dollarë, shifra që shpesh përfaqësojnë kursimet e një jete të tërë.

Kostoja më e rëndë mbeten kostot psikologjike “post trauma”. Studimet tregojnë se deri në 70% e viktimave pësojnë trauma të rënda psikologjike, ankth kronik dhe depresion.

“Peshkaqenët financiarë” nuk vjedhin vetëm para, por shkatërrojnë jetë. Për ne shqiptarët, ky rrezik mbart një hije të rëndë historike që nuk duhet harruar kurrë. Tragjedia e vitit 1997 mbetet rasti më madh dhe më tragjik botëror, kur mbikëqyrja dështon dhe lakmia ushqehet nga padija.

Me 50% të GDP-së, 60% të popullsisë të prekur dhe gati 3,000 jetë të humbura, ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërues i përhershëm dhe në çdo vend, të pazhvilluar, por edhe për çdo vend të zhvilluar.

Sot, algoritmi është “fjala e dhënë” e djeshme, por me fuqinë e Inteligjencës Artificiale për të identifikuar flluskat financiare përpara se rregullatorët të reagojnë.

Në këtë betejë midis teknologjisë gllabëruese dhe mbrojtjes së konsumatorit, roli i autoriteteve mbikëqyrëse është jetik.

Mbikëqyrja duhet të jetë: (i) profesionale; (ii) proaktive dhe (iii) mbi të gjitha e pakorruptueshme. Nuk mjafton më vetëm kontrolli i bankave tradicionale; duhet të aplikohet një standard i ri i “transparencës së algoritmeve. Çdo platformë investimi, fond kredie private apo entitet i “Shadow Banking” që kërkon tërheqjen e kapitalit publik, duhet të mbikëqyret hap pas hapi dhe në kohë reale, me efekte të qarta parandaluese nga të gjitha institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e tregjeve financiare dhe bankare, në mënyrë të koordinuar.

Këtu përfshihen: Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Inteligjencës Financiare, Shërbimi Informativ Shtetëror (me fokus te siguria kombëtare nga mashtrimet financiare), si dhe Policia e Shtetit përmes strukturave të luftës kundër krimit ekonomik dhe mashtrimeve financiare.

Numri viktimave mund të reduktohet sado pak edhe nga respektimi i disa këshillave praktike bazuar nga historitë e dhimbshme ndërkombëtare ku bënë pjesa edhe vendi ynë.

E para, përpara se të transferoni kursimet tuaja në çdo platformë apo fond investimi, këshillohuni edhe me këto filtra sigurie si:

(i) A është kompania e regjistruar dhe i licencuar nga Banka e Shqipërisë ose Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;

(ii) Nëse fitimi duket i garantuar dhe ndjeshëm më i lartë se tregu, është pothuajse gjithmonë një skemë mashtruese;

(iii) kur përgjigjja është se “algoritme sekrete”, “tregti komplekse me kripto” ose “metoda që nuk mund t’i kuptojë çdokush”, ky është një alarm i kuq se po ju vjedhin.

E dyta – Mashtruesit digjital shpesh përdorin “periudha bllokimi” për të mbajtur kapitalin brenda skemës për aq kohë sa u duhet për t’u zhdukur. Ikni nga platformat që ekzistojnë vetëm në “WhatsApp”, “Telegram” apo në një adresë “offshore” në ishuj të largët.

E treta – A po ju shtyjnë të investoni “tani ose kurrë” sepse mundësia do të mbyllet? Mashtruesit përdorin urgjencën për t’ju penguar të mendoni në mënyrë racionale. Këshillohet që për çdo ofertë tunduese, prisni 48 orë përpara se të investoni.

E katërta – Nëse ju kërkohet të sillni miq për të rritur shpërblimin, skema mashtruese do të falimentojë. Bëni kujdes nga dëshmitë e rreme pozitive sepse ato shpesh krijohen nga vetë algoritmet. Sot 2/3 e kodimit nuk bëhen më nga koduesit, por nga vetë inteligjenca artificiale.

E pesta – Çdo investim duhet të shoqërohet me një kontratë të detajuar ku shpjegohen rreziqet dhe nëse ndjeheni të pasigurt është më mirë të humbni një “oportunitet” sesa të humbni kursimet e një jete. Nuk duhet t’i besoni një personi real apo digjital, të cilët nuk kanë asnjë garanci për paratë që ju besoni dhe ata ju vjedhin.

Raghuram Rajan3 thekson se: “Rreziku më i madh i epokës sonë është përdorimi i saj për të krijuar asimetri informacioni ku peshkaqenët shohin gjithçka, ndërsa investitorët e vegjël janë të verbër”.

Prandaj mbrojtja më e mirë dhe më e lirë mbetet edukimi financiar i qytetarit.

Ne duhet të kultivojmë një dyshim racional: fitimi i lartë pa rrezik është një mit digjital që nuk ekziston.

Mbikëqyrja e specializuar kundër “peshkaqenëve grabitqarë” duhet të filloj nga detyrimi i tyre për të bërë lehtësisht të mbikëqyershme algoritmet e tyre.

Është njësoj siç i kërkojmë çdo kompanie në ekonominë reale të depozitojë në dogana dhe tatime skemën teknologjike të prodhimit, për të lehtësuar kontrollin e shpejtë dhe parandaluar abuzimet.

Algoritmet e marketingut digjital të çdo kompanie duhen bërë transparente. Inteligjenca Artificiale nuk duhet lejuar të kthehet në një mjet gllabërimi, por duhet të vihet në shërbim të transparencës dhe sigurisë. Edukimi financiar parandalues është mbrojtja jonë e vetme në një “oqean financiare”: më të madh, më të thellë të mbushur me “peshkaqenë” digjitalë, kafshimet e të cilëve janë të dhimbshme deri në mbijetesë.

1 Robert J. Shiller është një ekonomist fitues i Çmimit Nobel, profesor në Universitetin Yale dhe autor i njohur për analizat e tij mbi paqëndrueshmërinë e tregjeve financiare.

2 Nouriel Roubini (Dr. Mallkimi).është një nga ekonomistët më të njohur në botë. Ai fitoi famë ndërkombëtare kur në vitin 2006 paralajmëroi FMN për krizën e 2008

3 Raghuram Rajan është ekonomist i shquar indian, profesor në Chicago Booth dhe ish-Guvernator i Bankës Qendrore të Indisë, i njohur botërisht për parashikimin e krizës financiare të vitit 2008.

Advertisement
Advertisement
Advertisement