Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot ka bërë me dije se Mohamed Salah mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin, pas dëmtimit që pësoi në fitoren 3-1 ndaj Crystal Palace në Premierligë.
Salahu u detyrua të largohej në minutën e 60-të pasi ndjeu dhimbje në këmbën e majtë, duke u larguar mes duartrokitjeve të tifozëve në “Anfield”.
Pas ndeshjes, Slot tha për “BBC” se është ende herët për të konfirmuar seriozitetin e dëmtimit, por pranoi se situata duket shqetësuese.
“Është shumë herët për të thënë, por e dimë sa e vështirë është për Mo të largohet nga fusha. Fakti që ai doli, tregon diçka,” tha ai.
Në një intervistë tjetër për “Sky Sports”, trajneri shkoi edhe më larg duke sugjeruar se mund të ketë qenë paraqitja e fundit e egjiptianit për klubin, duke marrë parasysh se ai pritet të largohet këtë verë.
Alexander Isak, Andrew Robertson dhe Florian Wirtz ishin autorët e golave që i dhanë fitoren Liverpoolit, ndërsa goli i Daniel Muñoz shërbeu vetëm si ngushëllim për Palace.
Salahu largohet nga Liverpooli si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e klubit, me 257 gola në 440 paraqitje, duke u renditur i treti në listën historike të golashënuesve.
Liverpooli tashmë është në garë të ngushtë për vendet e Ligës së Kampionëve dhe do të përballet me Manchester Unitedin, Chelsean, Aston Villan dhe Brentfordin në ndeshjet e mbetura të sezonit./GazetaExpress/