Një trend i ri në rrjetet sociale po tërheq vëmendje: “bedtime stacking”, një mënyrë që supozohet të kombinojë relaksin me produktivitetin – por ekspertët paralajmërojnë se mund të jetë i dëmshëm për gjumin.
Ky koncept, i bërë viral nga përdoruesja e TikTok-ut Linnéa Pham, nënkupton që të shkosh në shtrat herët – madje rreth orës 20:30 – por jo për të fjetur menjëherë.
Përkundrazi, ideja është të marrësh me vete në shtrat një sërë aktivitetesh dhe objektesh: laptop, tablet, libra elektronikë, kremra, ushqime të lehta, telekomandë apo edhe një ditar.
Ideja është që të përfundosh detyrat apo rutinat personale në një ambient të rehatshëm, pa pasur nevojë të lëvizësh nga krevati. Disa e konsiderojnë këtë si një formë “stacking” të zakoneve – pra bashkimin e disa aktiviteteve në një moment të vetëm.
Megjithatë, specialistët e gjumit nuk e mbështesin këtë praktikë. Ata theksojnë se përdorimi i pajisjeve elektronike në shtrat mund të ndikojë negativisht në ritmin cirkadian, duke e bërë më të vështirë fjetjen dhe duke ulur cilësinë e gjumit.
Po ashtu, ngrënia në shtrat konsiderohet jo vetëm e pashëndetshme, por edhe problematike nga ana higjienike, pasi mund të tërheqë insekte dhe të krijojë papastërti.
Një tjetër shqetësim është prishja e rutinës së rregullt të gjumit. Edhe pse ideja e të shkuarit herët në shtrat mund të duket pozitive, mbajtja e një orari të qëndrueshëm është thelbësore për një gjumë cilësor.
Megjithëse trendi mund të duket i rehatshëm dhe estetikisht tërheqës – sidomos në rrjetet sociale – ekspertët paralajmërojnë se ai promovon një ide jo realiste: të jesh njëkohësisht i relaksuar dhe produktiv.
Në fund, këshilla mbetet e thjeshtë: krevati duhet të përdoret kryesisht për gjumë (dhe ndoshta për relaksim), në mënyrë që trupi ta lidhë atë me pushimin dhe jo me aktivitetet e përditshme. /GazetaExpress/