Napoli mbajti gjallë shpresat, edhe pse minimale, për titullin në Serie A me një fitore bindëse 4-0 ndaj Cremoneses në “Stadio Diego Armando Maradona”.
Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte hyri shumë e motivuar në ndeshje pas humbjes së parë në shtëpi javën e kaluar.
Që në minutat e para, Napoli krijoi raste të pastra, me Emil Auderon që ndali Scott McTominayn dhe Rasmus Højlundi që humbi një mundësi të mirë.
Megjithatë, vetëm pak çaste më vonë, McTominay shënoi me një goditje të bukur nga distanca për 1-0, në minutën e tretë.
Dominimi i Napolit vazhdoi dhe goli i dytë erdhi para pushimit, kur tentativa e Højlundit u devijua dhe përfundoi në rrjetë.
Vetëm pak minuta më vonë, vendasit realizuan edhe të tretin: McTominay mbajti topin në lojë në mënyrë spektakolare, Kevin De Bruyne fitoi topin nga Youssef Maleh dhe shënoi nga afër.
Goli i katërt erdhi në pjesën e dytë pas një kundërsulmi të shpejtë, ku Alisson Santosi përshkoi mbrojtjen kundërshtare dhe finalizoi me qetësi, pas një aksioni që nisi nga portieri Vanja Milinkovic-Savic.
Napoli vazhdoi të dominonte deri në fund, me raste të tjera nga Billy Gilmour dhe Amir Rrahmani, ndërsa një penallti e McTominayt u prit nga Audero.
Ndeshjen për Napolin e kompletoi i rikthyeri nga lëndimi, Amir Rrahmani, i cili u kthye në formacionin startues pas 2 muajsh mungesë.
Kapiteni i Kosovës u vlerësua me notën 7.2 nga “Flashscore”, për paraqitjen e sontme.
Me këtë fitore, Napoli ngjitet në vendin e dytë, por mbetet 9 pikë pas kryesuesve Interit, që kanë edhe një ndeshje më pak.
Nga ana tjetër, Cremonese vazhdon formën e dobët dhe mbetet në luftë për mbijetesë, vetëm një vend mbi zonën e rënies, falë golaverazhit më të mirë ndaj Lecces./GazetaExpress/