Ish-mesfushori dhe aktualisht një nga zërat analitikë në studiot televizive, Zvonimir Boban, e ka komentuar eliminimin e Barcelonës nga Champions League, duke e shprehur hapur mospajtimin e tij me idetë e trajnerit Hansi Flick.
Sipas Bobanit, mënyra e lojës së Barcelonës nuk është e përshtatshme për ta fituar kompeticione të këtij niveli.
“Nuk jam dakord me Flick. Me këtë mënyrë loje, Barcelona nuk do ta fitojë kurrë Champions Leaguen”, deklaroi ai, përcjell “Gazeta Express”.

Ish-futbollisti i Milanit theksoi se problemi kryesor qëndron te balanca e skuadrës, sidomos në fazën mbrojtëse.
“Luajnë shumë bukur, por lënë shumë hapësira. Në këtë nivel nuk mund t’ju lejosh kundërshtarëve kaq shumë raste, sepse ndëshkohesh menjëherë.”
Boban shtoi se në ndeshje të tilla vendimtare duhet më shumë pragmatizëm: “Championsi fitohet edhe me menaxhim të momenteve dhe me kujdes në detaje. Nuk mjafton vetëm loja e bukur.”
Eliminimi i Barcelonës nga Atlético Madridi ka hapur debat të madh rreth stilit të lojës së skuadrës katalunase, me shumë analistë që vënë në dyshim nëse filozofia aktuale mund t’i çojë drejt suksesit në Evropë. /Gazeta Express