Trepça Sh.A. ka njoftuar se ka pezulluar nga puna një punëtor të Njësisë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”, pas dyshimeve për shkelje të rëndë në vendin e punës.
“Me datën 14.04.2026, Kryeshefi Ekzekutiv ka nxjerrë vendimin për largimin e përkohshëm nga puna të punonjësit M.LL., pas një denoncimi të paraqitur nga Drejtori i Prodhimit”, thuhet në njoftim.
Sipas ndërmarrjes, punëtori dyshohet se ka ndërprerë në mënyrë të qëllimshme energjinë elektrike të ventilatorit që shërben për ventilimin në minierë, duke e bërë atë jofunksional.
“Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës”, thuhet më tej në njoftim.
Rasti pritet të trajtohet në procedura të mëtejme disiplinore.