Sërish do të lindë dielli... - Gazeta Express
string(25) "serish-do-te-linde-dielli"

Sport

Herolind Beqaj

01/04/2026 12:31

Sërish do të lindë dielli…

Sport

Herolind Beqaj

01/04/2026 12:31

Nga humbja e thellë ndaj Zvicrës deri te finalja dramatike me Turqinë, Kosova dëshmoi se rënia është vetëm fillimi i një ngritjeje më të fortë.

Herolind Beqaj

Ish selektori karizmatik i Kroacisë, Slaven Bilic, pas eliminimit dramatik nga Turqia në UEFA Euro 2008, pati mahnitur të gjithë me deklaratat e tij.
Çka të bëjmë tash? Prandaj, futbolli është sporti më i mirë e më dramatik në botë. Nesër është ditë e re, sërish do të lindë dielli. Do të qajmë, por e tillë është jeta…”.

E njëjta, pak a shumë, mund të thuhet edhe për Kosovën.

Sepse rrugëtimi i kosovarëve drejt Kampionatit Botëror 2026 nuk nisi me optimizëm.
Nisi me një humbje të thellë.

Përballë Zvicrës, Kosova u përball me realitetin brutal të futbollit ndërkombëtar. Një humbje e thellë 4:0, që nuk ishte vetëm rezultat në tabelë, por një tronditje që vuri në pikëpyetje shumëçka – nga organizimi, te besimi, te vetë rruga drejt Botërorit.

Ishte ajo natë kur u duk se ëndrra mund të shembej, para se të ndërtohej. Por, në futboll nuk ka kohë për të kthyer kokën pas.

Vetëm disa ditë më pas, përballë Suedisë, Kosova reagoi. Jo me spektakël, por me karakter. Një ndeshje e luftuar deri në fund. Nuk ishte perfeksion, por ishte përgjigje ndaj traumës në Zvicër.

Ndaj Sllovenisë erdhi momenti i kthesës. Një paraqitje që riktheu besimin e humbur. Organizim, disiplinë dhe një energji që mungonte në ndeshjen e parë. Ishte sinjali se kjo skuadër nuk ishte dorëzuar.

Dhe pikërisht aty nisi rrugëtimi i vërtetë.

Kosova filloi të rritet ndeshje pas ndeshjeje. Gabimet u kthyen në mësime, presioni në motivim. Deri sa erdhi nata e gjysmëfinales së play-off-it kundër Sllovakisë.

Një ndeshje ku nuk kishte më hapësirë për gabime. Një betejë e pastër nervash. Kosova nuk ishte më skuadra që u mposht rëndë në fillim – ishte një ekip që kishte mësuar si të vuajë dhe si të luftojë. Dhe kur erdhi momenti vendimtar, dardanët shkëlqyen.

Finalja përballë Turqisë ishte kulmi i një rruge të pazakontë. Nga një humbje e thellë… në një hap larg ëndrrës amerikane.

Turqit, mjeshtër të dramës, nuk falën. Ndeshja ishte e fortë, e hapur, e mbushur me tension – një finale e denjë për një ëndërr kaq të madhe. Kosova luftoi, dha gjithçka, por në fund, fati dhe detajet e vogla vendosën ndryshe.

Dhe aty, gjithçka u ndal për një moment. Por vetëm për një moment.

Sepse kjo histori nuk është për humbjen ndaj Zvicrës.
Nuk është as për finalen e humbur.

Është për rrugën në mes.

Për mënyrën se si një ekip u ngrit nga një goditje e rëndë dhe arriti të trokasë në derën e Botërorit.

Me lojtarë si Fisnik Asllani, Veldin Hodza, Dion Gallapeni, me një gjeneratë që refuzon të dorëzohet, Kosova ka treguar se e ardhmja nuk është më vetëm një shpresë – është një premtim.

Sepse futbolli është i tillë.

Të rrëzon… që të të mësojë si të ngrihesh.

Dhe kur gjithçka mbaron, kur emocionet qetësohen dhe realiteti pranohet, mbetet vetëm ajo që tha dikur Slaven Bilic.

Nesër është ditë e re.
Sërish do të lindë dielli.

Advertisement
Advertisement
Advertisement