Agjenti i trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri thekson se Rafael Leão “qartazi nuk po jep një kontribut të madh” këtë sezon, por reagimi i tij i zemëruar pas zëvendësimit duhet trajtuar me kujdes. “Ai është një burim i të ardhurave për klubin”, tha ai.
Sulmuesi reagoi me zemërim kur u zëvendësua në minutën e 67-të në humbjen 1-0 të Milanit ndaj Lazios në Serie A, rezultat që e la Milanin tetë pikë larg liderit, Interit.
Leão u drejtua me ngadalë drejt vijës anësore, aq sa portieri Mike Maignan u detyrua të vraponte deri në mesfushë për ta shtyrë fizikisht jashtë fushës.
Më pas ai refuzoi edhe përqafimin qetësues të Allegrit.

Kur agjenti i trajnerit, Giovanni Branchini, u pyet nëse trajneri do ta ndëshkojë lojtarin për këtë sjellje, përgjigjja ishte domethënëse.

“Dinamikat e klubit janë të komplikuara,” tha ai për “Radio Anch’io Sport” në “RAI Radio 1”.
“Leão është një burim të ardhurash për klubin dhe për këtë arsye duhet të merren parasysh faktorë të ndryshëm. Këtë sezon ai qartazi nuk po jep një kontribut të madh për ekipin, dhe kjo është e dukshme për të gjithë.
Ai mbetet një lojtar i rëndësishëm dhe do të mbrohet deri në fund, ashtu siç bëri Allegri pas ndeshjes mbrëmë, pavarësisht përfundimit të ashpër të zëvendësimit”, tha ai.
Edhe pse kjo lloj sjelljeje nuk është e re për reprezentuesin e Portugalisë, Leão tashmë është 26 vjeç dhe lojtari më i paguar në skuadrën e Milanit.
Klubi po bëhet gjithnjë e më i frustrur me papjekurinë e tij të vazhdueshme.
Kjo u pa edhe nga drejtori sportiv Igli Tare, i cili u kap nga kamerat në tribunë duke murmuritur: “Shikoni këtë, çfarë po bën”.
Sipas “MilanNews.it”, kontrata aktuale e Leãos zgjat deri në qershor 2028 dhe klubi ka ngrirë çdo diskutim për rinovim, pasi dëshiron që ai ta fitojë një kontratë të re me paraqitjet e tij.
Këtë sezon ai ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë dy asistime në 24 ndeshje zyrtare, duke luajtur kryesisht në një rol të ri si qendërsulmues në formacionin 3-5-2./GazetaExpress/