Ekspertët paralajmërojnë se disa probleme të zakonshme në gojë mund të lidhen me një rrezik më të lartë për kancer të zorrës së trashë.
Edhe pse simptomat më të njohura të kësaj sëmundjeje janë ndryshimet në zakonet e jashtëqitjes ose dhimbjet e barkut, studimet sugjerojnë se edhe shëndeti i gojës mund të japë sinjale paralajmëruese.
Kanceri i zorrës së trashë, i njohur edhe si kanceri kolorektal, është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohet një rast i ri çdo 12 minuta, ndërsa rreth 17 mijë njerëz humbin jetën çdo vit nga kjo sëmundje.
Lidhja mes gojës dhe zorrëve
Sipas dentistit Dr. Mark Burhenne, ndryshimet në gojë mund të tregojnë një çekuilibër në mikrobiomën orale – bakteret “e mira” dhe “të këqija” që jetojnë në gojë.
Kur bakteret e dëmshme bëhen dominante, ato mund të përhapen në traktin tretës përmes pështymës ose gjakut dhe në disa raste mund të nxisin inflamacion që lidhet me zhvillimin e kancerit.
Faktorë që mund të prishin këtë ekuilibër janë:
higjiena e dobët orale
duhanpirja
konsumimi i tepërt i alkoolit
dieta me shumë sheqer dhe pak fibra.
Shenja në gojë që nuk duhen neglizhuar
Mishrat e dhëmbëve që gjakosin ose janë të enjtur
Gjakosja gjatë larjes së dhëmbëve është shpesh shenjë e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve. Studimet kanë treguar se personat me probleme periodontale mund të kenë 17–21% më shumë rrezik për polipe prekanceroze në zorrën e trashë.
Edhe mishrat e dhëmbëve të enjtur, të ndjeshëm ose që tërhiqen mund të jenë shenjë e inflamacionit të hershëm.
Era e keqe e vazhdueshme e gojës
Halitoza e vazhdueshme mund të lidhet me bakterin Fusobacterium nucleatum, i cili gjendet në gojë dhe është identifikuar edhe në disa tumore të kancerit të zorrës së trashë.
Ky bakter mund të udhëtojë nëpër trup përmes pështymës ose qelizave të gjakut dhe mund të ndihmojë qelizat kancerogjene të shmangin sistemin imunitar.
Gjuha me shtresë të bardhë ose të verdhë
Një shtresë e bardhë ose e verdhë në gjuhë zakonisht krijohet nga bakteret, mbeturinat ushqimore dhe qelizat e vdekura. Disa studime sugjerojnë se kjo mund të pasqyrojë ndryshime në mikrobiomën e gojës, të cilat mund të lidhen me rrezikun për kancer të zorrës.
Humbja e disa dhëmbëve
Humbja e katër ose më shumë dhëmbëve, shpesh për shkak të sëmundjeve të patrajtuara të mishrave të dhëmbëve, është lidhur me rreth 20% rritje të rrezikut për polipe prekanceroze në zorrën e trashë.
Çfarë duhet të bëni
Ekspertët theksojnë se problemet dentare nuk janë një shenjë e sigurt e kancerit, por mund të jenë një tregues se shëndeti i përgjithshëm, përfshirë atë të zorrëve, nuk është optimal.
Për të ulur rrezikun rekomandohet:
larja dhe përdorimi i fillit dentar rregullisht
kontrollet periodike tek dentisti
dietë e shëndetshme me më shumë fibra
aktivitet fizik
shmangia e duhanit dhe alkoolit të tepërt.
Megjithatë, mbrojtja më e mirë kundër kancerit të zorrës së trashë mbetet zbulimi i hershëm, pasi programet e depistimit mund të identifikojnë shenja të sëmundjes edhe para se të shfaqen simptomat. /GazetaExpress/
Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...