Në shtëpinë e Juventusit po vazhdon debati për të ardhmen e repartit ofanziv.
Një nga pyetjet që shtrohet është nëse bardhezinjtë duhet të vazhdojnë të besojnë te Edon Zhegrova apo ta rikthejnë në ekip Nicolás González, shkruan “Tuttomercato”, përcjell “Gazeta Express”.
Dy lojtarët kanë pasur role dhe statistika të ndryshme gjatë këtij sezoni dhe krahasimi i tyre e tregon një realitet interesant.
Sa i përket Zhegrovës, sezoni i tij ka qenë i vështirë.
Futbollisti kosovar ka pasur shumë pak hapësirë në ekip dhe është aktivizuar kryesisht nga stoli.
Në total ai i ka regjistruar 20 paraqitje, por vetëm një si titullar, pa arritur të shënojë gol apo të japë asistim.
Madje në një nga ndeshjet e këtij sezoni në Evropë kundër Pafos FC ai u zëvendësua që në pjesën e parë.
Një tjetër moment që përmendet shpesh është rasti i humbur në përballjen me Galatasarayn, një episod që u komentua shumë për ndikimin e tij në ndeshje.

Situatë krejt ndryshe është me Nico González.
Argjentinasi ka pasur më shumë hapësirë dhe vazhdimësi te Atlético Madrid, ku është aktivizuar kryesisht si anësor i majtë në skemat e trajnerit Diego Simeone.
Deri tani ai i ka zhvilluar 28 ndeshje, 19 prej tyre si titullar, duke i shënuar 3 gola në kampionat.
Edhe pse nuk ka regjistruar asistime, ai është përdorur në disa role në repartin ofanziv, herë si sulmues i dytë dhe herë si lojtar krahu në skema të ndryshme taktike.
Sa i përket të ardhmes së tij, klubi madrilen e ka një opsion blerjeje prej rreth 32 milionë eurosh, edhe pse drejtuesit e klubit spanjoll po përpiqen të negociojnë për një çmim më të ulët.
Opsioni nuk është bërë automatik, pasi lojtari nuk e ka arritur numrin minimal të ndeshjeve si titullar të parashikuar në marrëveshje.
Krahasimi i shifrave të këtij sezoni tregon se, për momentin, González e ka pasur një ndikim më të madh në fushë.
Megjithatë, për Juventusin vendimi përfundimtar do të varet nga projektet teknike të klubit dhe nga mënyra se si do të ndërtohet reparti ofanziv për sezonin e ardhshëm. /Gazeta Express
Rrjeti i pikave të Shell në Kosovë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pas kalimit në pronësi...