Zagragja: Të rinjtë tanë kanë potencial të jashtëzakonshëm, sot punojnë për kompani të mëdha botërore - Gazeta Express
string(99) "zagragja-te-rinjte-tane-kane-potencial-te-jashtezakonshem-sot-punojne-per-kompani-te-medha-boterore"

Lajme

Gazeta Express

27/02/2026 20:55

Zagragja: Të rinjtë tanë kanë potencial të jashtëzakonshëm, sot punojnë për kompani të mëdha botërore

Lajme

Gazeta Express

27/02/2026 20:55

Jeta Zagragja, e cila drejton kompaninë për zhvillime softuerike AnchorzUP, ka thënë në EURO n’T7 se sot të rinjtë kosovarë kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe kjo po vërtetohet çdo ditë, pasi me qindra prej tyre angazhohen nga Kosova për të punuar për kompani të mëdha ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se sot të rinjtë në Kosovë po zgjedhin të studiojnë shkencat kompjuterike para secilit fakultet tjetër, kjo për shkak të perspektivës më të mirë, por edhe për shkak të mundësive për të gjetur një punë të mirë e që paguhet mirë.

“Unë mund të flas për sektorin e teknologjisë informative sepse e njoh mirë për shkak të angazhimeve që kam në këtë sektor. Para 5 e 6 vitesh ka qenë më vështirë për të gjetur një profesionist të mirë të kësaj fushe, ndërsa sot kjo nuk është më problem. Profesionistët e kësaj fushe në vend nuk janë më të lirë sesa të vendeve të tjera, megjithatë po performojnë mirë dhe kjo po i bën që për ta të ketë punë dhe angazhim”, ka thënë Zagragja.

Në anën tjetër, Zagragja ka shpjeguar edhe ndryshimet që po vijnë në këtë treg të punës, pra të shkencave kompjuterike, me ndryshimet që kanë ardhur në këtë fushë bashkë me inteligjencën artificiale.

“Edhe sa ishim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, diskutohej se për çdo ditë nevoja për IT junior po është shumë më e vogël, për të mos thënë e panevojshme, ndërkohë që nevoja për IT më të avancuar normalisht që është shumë e domosdoshme. Nëse një programeri të mesëm i kanë dashur për të përfunduar një punë softuerike edhe dy programerë junior, ata janë zëvendësuar me inteligjencë artificiale. Në anën tjetër, edhe nga universitetet private edhe nga ai publik po dalin shumë programerë; nevoja për programerë junior pothuajse po zhduket, kështu që ne duhet të gjejmë forma që të përgatisim sa më shumë programerë më të avancuar për ta mbushur këtë boshllëk”, ka shtuar Zagragja.

Ajo ka thënë se sfidë e kohës do të jetë që studentët të angazhohen për punë praktike para se të përfundojnë studimet, në mënyrë që kur të diplomojnë të jenë të gatshëm për punë si programerë të avancuar.

Advertisement
Advertisement
Advertisement