Mbrojtësi i Juventus, Lloyd Kelly, ka reaguar publikisht pas një mesazhi me përmbajtje raciste që mori në rrjetet sociale, menjëherë pas humbjes 5-2 ndaj Galatasaray në ndeshjen e parë të “play-off”-it të UEFA Champions League.
Të mërkurën në mëngjes, ish-mbrojtësi i Newcastle United dhe AFC Bournemouth publikoi në “Instagram Story” një fotografi të një komenti fyes të lënë në profilin e tij, ku shkruhej: “Kthehu në kopshtin zoologjik”. Në reagimin e tij, Kelly theksoi se kritikat janë pjesë normale e futbollit dhe se ai i ka pranuar gjithmonë opinionet sportive, por nuk do të tolerojë gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim.
“Fjalët dhe veprimet kanë kuptim dhe gjithashtu pasoja”, ishte mesazhi i qartë i mbrojtësit anglez, i cili përveçse e bëri publik komentin, etiketoi edhe personin që e kishte shkruar dhe kompaninë ku ai dyshohet se punon, duke dërguar një sinjal të fortë kundër racizmit online.

Ngjarja e Kellyt vjen në një javë të tensionuar për futbollin evropian, pasi edhe sulmuesi i Real Madrid, Vinícius Júnior, ka akuzuar mesfushorin e Benfica, Gianluca Prestianni, për një koment me përmbajtje raciste gjatë sfidës në Lisbonë.
Rasti i fundit rikthen në fokus problemin e vazhdueshëm të racizmit në futboll, sidomos në hapësirën digjitale, ku lojtarët shpesh përballen me sulme personale pas rezultateve negative. Reagimi i Kellyt përforcon mesazhin se kritika sportive është e pranueshme, por diskriminimi dhe urrejtja nuk kanë vend në sport apo në shoqëri. /GazetaExpress