Haxhiu: Nëna Pashke Krasniqi Markaj simbol i vuajtjes së popullit tonë e i kujtesës që s’duhet të zbehet kurrë - Gazeta Express
string(110) "haxhiu-nena-pashke-krasniqi-markaj-simbol-i-vuajtjes-se-popullit-tone-e-i-kujteses-qe-sduhet-te-zbehet-kurre-1"

Lajme

Gazeta Express

27/05/2026 18:59

Haxhiu: Nëna Pashke Krasniqi Markaj simbol i vuajtjes së popullit tonë e i kujtesës që s’duhet të zbehet kurrë

Lajme

Gazeta Express

27/05/2026 18:59

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot Nënën Pashke Krasniqi Markaj, e cila 23 vjet më parë, përballë dhimbjes së papërballueshme për bijtë e saj, i vuri flakën vetes dhe vdiq.

“Kryetarja Haxhiu ka rikujtuar se Gjovalin dhe Milan Markaj ishin ndër 374 shqiptarët e masakruar më 27 prill 1999 nga forcat serbe në fshatrat Mejë dhe Korenicë të Gjakovës, ndërsa për katër vjet, nëna e tyre jetoi mes pritjes dhe shpresës, pa e ditur të vërtetën, por pa e humbur besimin”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Më 24 maj 2003, eshtrat e bijëve të saj u gjetën në një varr masiv në Batajnicë të Serbisë. Tri ditë më vonë, ajo i vuri flakën vetes.

“Akti i saj nuk mund të kuptohet jashtë peshës së asaj dhimbjeje. Ishte shprehje e një dhimbjeje të thellë të një nëne që u përball me të vërtetën më të rëndë se bijtë e saj jo vetëm ishin vrarë, por edhe ishin zhdukur me përpjekjen për t’u mohuar çdo gjurmë, çdo varr dhe çdo lamtumirë. Ishte dhimbja e një dashurie të pafund, e thyer nga mizoria e një krimi që synonte edhe fshirjen e kujtesës. Nëna Pashke nuk u shua. Ajo u bë simbol i vuajtjes së popullit tonë dhe i kujtesës që nuk duhet të zbehet kurrë”, ka theksuar Haxhiu, duke shtuar se ky përvjetor është moment për të ripërtërirë angazhimin se krimet e kryera kundër popullit të Kosovës kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Varret masive në Batajnicë nuk janë një kapitull i mbyllur i historisë, shtoi ajo, por ato mbeten një plagë e hapur që nuk do të shërohet derisa drejtësia të vihet në vend dhe e vërteta të pranohet plotësisht.

“Përulemi para kujtimit të Nënës Pashke. Përulemi para kujtimit të Gjovalinit dhe Milanit. Dhe qëndrojmë pranë çdo familjeje që ende pret eshtrat e më të dashurve të saj, ende pret të vërtetën, ende pret drejtësinë. Emrat e tyre nuk do të harrohen kurrë. Lavdi Nënës Pashke, Gjovalinit, Milanit dhe të gjithë martirëve të kombit”, ka thënë Albulena Haxhiu.

Advertisement
Advertisement
Advertisement