Vedat Muriqi ka folur pas humbjes së Mallorcas nga Real Betisi me rezultat 1:2 mbrëmë në La Liga.
Sulmuesi kosovar ndeshjes e ka analizuar paraqitjen e skuadrës dhe ka folur për objektivat rreth sfidës së radhës ndaj Celta Vigos në La Liga.
Sulmuesi prizrenas e pranoi se skuadra e kishte kontrollin e lojës, por gabimet në mbrojtje i kushtua me pikë.
“Që nga fillimi dukej se i kishim nën kontroll. Ajo që dhemb më së shumti është se e dinim çfarë do të bënin dhe na shënuan dy gola. Faji është i gjithë ekipit, duke më përfshirë edhe mua. Duhet të mbrohemi nga sulmuesi deri te portieri. Këtu kemi gabuar, por kemi luftuar dhe kemi dominuar kundërshtarin. Duhet të vazhdojmë”, deklaroi fillimisht 31-vjeçari për faqen zyrtare të klubit, përcjell “Gazeta Express”.
Ai theksoi gjithashtu se ekipi duhet t’i marrë anët pozitive pavarësisht rezultatit dhe kërkoi durim nga tifozët.
“E marr pjesën pozitive. Ekipi provoi në çdo top dhe në çdo aksion. Sot ndërtuam nga prapa dhe u përpoqëm. Dua t’i falënderoj tifozët, të gjithë mbështetësit e Mallorcas. E di që është e vështirë, por e kërkoj durim prej tyre. Duam të dalim sa më shpejt nga kjo situatë.”
Në fund, Muriqi foli për sfidën e radhës, duke kërkuar fokus vetëm te ndeshja e ardhshme.
“Nuk e shikoj tabelën. Duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Tani është Celta dhe do të provojmë të marrim pikë atje. Një pikë atje do të ishte e mirë, sepse në shtëpi jemi të fortë dhe luajmë ndryshe. Të vazhdojmë përpara me gjithë forcën.”
Muriqi i ka realizuar 16 gola në 23 ndeshje këtë sezon me Mallorcan, ndërsa në total i ka 50 gola në La Liga me ekipin ishullor.
Sidoqoftë, Mallorca nuk i ka punët aspak mirë në kampionatin spanjoll dhe e gjen veten në pozitën e 18-të në tabelë. /Gazeta Express