Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Që të kuptohet ndërlidhja e Shërbimit Sekret të Serbisë me prokurorët e procesit politik që po zhvillohet në Hagë, më duhet të sqaroj lexuesin për rolin e Milovan Drecunit dhe të Grupit Punues të Serbisë në orientimin e prokurorëve të angazhuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Që të kuptohet në tërësi ky rol, paraprakisht më duhet ta njoftoj lexuesin shkurtimisht për disa fakte që kanë të bëjnë me Milovan Drecunin. që jo rrallë edhe në mediat tona cilësohet si “kryetar i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën”.
Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të Radio-Televizionit të Beogradit, të Radio-Televizionit të Novi Sadit, si dhe kundër gazetarëve të gazetave Politika, Večernje Novosti dhe të gjithë atyre, që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse. Nëpërmjet kësaj padie, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët që i kishin shërbyer kësaj propagande, se kanë manipuluar me mediat, me qëllim të përhapjes së urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, të nxitjes së diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.
Për këtë arsye, kjo shoqatë kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi, që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për veprën penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracunin, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio-Televizionit të Serbisë.
Ky fakt është tepër domethënës, sepse padia është bërë nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë!
Me qëllim që lexuesi ta ketë të qartë se për çfarë “gazetari” bëhet fjalë, po përmend edhe një fakt tjetër. Për meritat në nxitjen e kryerjes së gjenocidit kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, Milovan Drecuni dhe kameramani i Radio-Televizionit të Serbisë, Tomislav Magoči, më 27 prill 1999 u dekoruan nga gjeneralkoloneli Nebojša Pavković (Nebojsha Pavkoviq). Milovan Drecun-i dhe Tomislav Magoči ishin të vetmit gazetarë që u dekoruan nga komandanti i Armatës së Tretë Jugosllave, që udhëhoqi zbatimin e planit gjenocidal kundër shqiptarëve në Kosovë.
Për lexuesin që nuk e di se kush është Nebojša Pavkovići, do të përmend vetëm faktin se ai kërkohej nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për katër vepra penale të kryera gjatë luftës në Kosovë: deportime, shpërngulje të dhunshme, vrasje dhe përndjekje.
Më 25 prill 2005 ai u dorëzua tek autoritetet ndërkombëtare për t’u ballafaquar me drejtësinë. Në shkurt të vitit 2009 u dënua me 22 vjet burg.
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë për Milovan Drecunin. Përkundrazi, në zgjedhjet e 2012-s u bë deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë dhe u emërua kryetar i “Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë”!
Pikërisht ky “gazetar” i Radio-Televizionit të Serbisë, i dekoruar nga komandanti i Armatës së Tretë të Jugosllavisë, që kreu krimet në Kosovë, gjeneralkoloneli Nebojša Pavković, u vu në krye të Grupit Punues serb, që përgatiti provat për Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Një muaj përpara se të bëhej konfirmimi i aktakuzës dhe të arrestoheshin Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, Milovan Drecuni ishte i ftuar në emisionin e titulluar “Fillon udhëtimi njëdrejtimësh nga Prishtina për në Hagë”, në TV Happy”. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët e “TV Happy”-t, Milovan Drecuni, në emër të Grupit Punues të Serbisë, flet me mospërfillje për ekipin e prokurorëve që punonin me kryeprokurorin David Swendiman, të cilët nuk i njihnin rrethanat ku kishin ndodhur ngjarjet, nuk dinin në çfarë drejtimi t’i zhvillonin hetimet. Në këtë kontekst Milovan Drecun pohon publikisht se Grupi Punues i Serbisë ka kontribuuar shumë, që t’u japin drejtimin e duhur dhe t’u tregoj prokurorëve në çfarë drejtimi t’i zhvillojnë hetimet.
Ai tregon se i ka orientuar drejt çështjes së qendrave ilegale të ndalimit, sepse “ka qenë më e lehtë për ta që të dëshmojnë krimet nëpërmjet këtyre qendrave ilegale. Ne u kemi dhënë:
– listën e plotë të 159 qendrave të ndalimit që kanë identifikuar shërbimet tona, prej të cilave 6 ishin në veri të Shqipërisë;
– emrat e atyre që i kanë krijuar këto qendra;
– personat që i kanë keqtrajtuar njerëzit, që i kanë vrarë, që i kanë masakruar, dhunuar (kemi shumë raste të grave të përdhunuara)…”
Dhe për punën që ka bërë, Milovan Drecuni deklaron: “Qysh në fazën e parë unë kam marrë mirënjohje nga kryeprokurori Swendiman. Madje mirënjohja është shkruar me dorë, që është e pazakonshme, sepse po shihej që i kemi ndihmuar shumë të shohin se në çfarë drejtimi duhet t’i zhvillojnë hetimet”.
Paramendoni se në çfarë situate paradoksale kemi ardhur: krimineli Milovan Drecun, që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në nxitjen e krimeve ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj të cilit Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë kishte dorëzuar padi, i ka përcaktuar Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës se në çfarë drejtimi duhet t’i zhvillojë hetimet!
Prandaj propozimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim me kohëzgjatje nga 45 vjetë burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin është propozim logjik në përputhje me drejtimin që ua ka përcaktuar Shërbimi Sekret i Serbisë që përfaqësuesit e luftës çlirimtare të Kosovës të mos kthehen kurrë në Prishtinë, e që sintetizohet në thënien e Miroslav Drecunit “Fillon udhëtimi njëdrejtimësh nga Prishtina për në Hagë”. Ky propozim konfirmoi shqetësimet që para disa muajsh shprehu publikisht diplomati amerikan James Rubin për njëanshmërinë dhe qasjen paragjykuese të disa gjyqtarëve në procesin gjyqësor ku ai ishte dëshmitarë i mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Përball rrezikut që në vend të drejtësisë të vendosë politika, ftoj të gjithë shqiptarët që kanë mundësi të vijnë në Prishtinë dhe bashkërisht të marshojmë në Sheshin Skënderbeu” në Prishtinë në mbështetje të atyre që padrejtësisht mbahen prapa grilave.
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...