Cristiano Ronaldo mund të jetë në prag të largimit nga Al-Nassr, pasi Arabia Saudite po planifikon të nënshkruajë një superyll të ri pas “grevës” së 41-vjeçarit.
Ronaldo nuk është përfshirë në listën e skuadrës së Al-Nassr që nga janari, duke munguar në ndeshjet e Saudi Pro League kundër Al-Riyadh dhe Al-Ittihad.
Kjo vjen pasi portugezi hyri në grevë për shkak të mungesës së veprimeve të klubit në afatin kalimtar të janarit.
Mediumi portugez “Record” pretendon se Ronaldo mendon që Public Investment Fund (PIF) – që zotëron Al-Nassr, si dhe Al-Ittihad, Al-Ahli dhe Al-Hilal – po favorizon rivalët e tij në merkato.
Pas kësaj greve, SPL dha një reagim të ashpër ndaj Ronaldos duke thënë se “konkurrueshmëria e ligës flet vetë”.
Ronaldo ka shënuar 17 gola këtë sezon në kampionat, dy më pak se golashënuesi më i mirë i SPL, Ivan Toney, ndërsa fituesi i 5 Topave të Artë synon të bëhet futbollisti i parë që arrin 1000 gola në karrierë profesionale.
Rekordi i tij në Arabinë Saudite bënte që ky objektiv të dukej vetëm çështje kohe, por pas tensioneve të fundit ai mund të duhet të kërkojë një destinacion tjetër.
Sipas “The i Paper”, shpërthimi i fundit i Ronaldos ka rritur mundësinë e një largimi në verë, me ish-yllin e Man United dhe Real Madrid që ka një klauzolë lirimi prej 43 milionë paundësh.
Klauzola do të aktivizohet këtë verë, megjithatë zyrtarët sauditë nuk janë shumë të shqetësuar për një largim të mundshëm të figurës së tyre kryesore.
Raporti thotë se do të ishte e preferueshme që Ronaldo të qëndronte, por nëse largohet, Saudi Pro League është gati të kurorëzojë “një mbret të ri”.
Një burim pranë SPL i tha “The i Paper”: “Mohamed Salah dhe Bruno Fernandes do të ishin zgjedhjet perfekte, veçanërisht Salah, pasi do të tërhiqte audiencë arabe si mysliman.
Ardhja e cilitdo prej tyre, së bashku me talentin e ri, do të ishte shumë e madhe për ne dhe do të zbusë çdo goditje nga largimi i Ronaldos.”
Sa i përket Ronaldos, kuotat aktuale nga William Hill e vendosin Sporting CP si favorit për të aktivizuar klauzolën, ndërsa përmendet edhe një kalim i mundshëm në MLS.
Kjo mbështetet edhe nga raporti i “The i Paper” që pretendon se klubi portugez kryeson garën, ndërsa Manchester United aktualisht nuk është i interesuar ta rikthejë Ronaldon për herë të tretë./GazetaExpress/