Kurti thotë se mbështetjet financiare nuk lidhen me fushatën zgjedhore: Janë përgjigje ndaj inflacionit - Gazeta Express
string(102) "kurti-thote-se-mbeshtetjet-financiare-nuk-lidhen-me-fushaten-zgjedhore-jane-pergjigje-ndaj-inflacionit"

Lajme

Gazeta Express

28/05/2026 13:05

Kurti thotë se mbështetjet financiare nuk lidhen me fushatën zgjedhore: Janë përgjigje ndaj inflacionit

Lajme

Gazeta Express

28/05/2026 13:05

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ndihmat dhe mbështetjet financiare të fundit për qytetarët nuk lidhen me nisjen e fushatës zgjedhore, por me nevojën për t’u përballur me rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin

I pyetur nëse ndihmat e fundit kanë lidhje me fillimin e fushatës zgjedhore, Kurti tha se Qeveria kishte planifikuar një pako të re për përballjen me inflacionin, por sipas tij kjo u pamundësua nga zgjedhjet e parakohshme.

“Siç e dini ne kemi pasur në plan të bëjmë pakon për përballjen me inflacion, 2.0. Mirëpo kjo nuk u mundësua për shkak se u shkaktuan zgjedhjet e parakohshme, të panevojshme, meqenëse patëm një bllokim opozitar sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit. Dhe tash ne po përpiqemi të bëjmë çfarë është e mundur në mënyrë se qytetarët e Republikës në përballje me nevojat e shtuara në njërën anë dhe me pritjet tërësisht të arsyeshme në anën tjetër t’ju dalim zot atyre”, tha ai.

Kurti përmendi mbështetjet financiare që, sipas tij, janë dhënë gjatë mandatit të qeverisë së tij për kategori të ndryshme të qytetarëve.

“Tash ne jemi të mirënjohur ta zëmë për shtesat për fëmijë, për mbështetjen financiare për nënat lehonë, pastaj për mbështetjen financiare për punëtorët, mandej për studentët dhe pa harruar pensionistët. Ta zëmë për pesë vjet qeveria jonë ka mbështetur shtatë herë gjithsej pensionistët me mbështetje të njëhershme 100 euro. Pensionin që e kemi gjetur bazik 90 euro e kemi bërë 100 euro, që është për 2/3 më i lartë se që e kemi gjetur. Pra, rritjen ekonomike të vendit tonë nuk e mbajmë për shtet, e shpërndajmë në popull, më së shumti, më së pari tek ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha”, tha ai.

Ai foli edhe për alokimin e fundit të mjeteve buxhetore në vlerë prej 2 milionë eurosh për avikompanitë, duke thënë se bëhet fjalë për mbulim të nevojave gjatë sezonit veror.

“Ndërkaq sa i përket alokimit të mjeteve buxhetore prej 2 milionë euro , këtë e kam shpjeguar me një tekst në faqen time në Facebook dje pasdite. Ju kisha inkurajuar të gjithëve që keni dilema të lexoni e ta rilexoni dhe gjithçka është në shërbim të qytetarëve dhe bëhet fjalë për një mbulim të një gjendje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtetet e tjera. Dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor, po ka të bëjë me komplet stinën e verës deri në fund të tetorit. Pra, do të vepronim ndryshe po të kishim Kuvend. Meqë s’kemi Kuvend, veprojmë me çfarë mundemi e dimë dhe besojmë që po bëjmë shumë mirë”, tha ai.

Advertisement
Advertisement
Advertisement