BE nuk prishet, po ne rrezikojmë të mbetemi prapë jashtë - Gazeta Express
string(55) "be-nuk-prishet-po-ne-rrezikojme-te-mbetemi-prape-jashte"

OP/ED

Gazeta Express

02/02/2026 16:07

BE nuk prishet, po ne rrezikojmë të mbetemi prapë jashtë

OP/ED

Gazeta Express

02/02/2026 16:07

Shkruan Preç Zogaj

Pas nismës së Presidentit Tramp për ngritjen e Bordit të Paqes është folur e shkruar për rënien e Rendit Botëror të pasluftës së dytë botërore dhe zevendësimin i tij me një Rend të ri.

Njëherësh është njoftuar fundi i epokës liberaldemokratike dhe paralajmëruar një epokë tjetër për të cilën dihet vetëm një gjë: që demokratike nuk do jetë!

Asgjë e re. E kemi sportin e shkollës sonë të mendimit zvogëlimin e botës në përmasat e vendit dhe zmadhimin e vendit në përmasat e botës. Se mos na e merr vesh njeri!  

Paralajmërimi i Rendit të Ri Botëror është qëmtuar në rreshta dhe midis rreshtave të statutit të Bordit të Paqes. Cili është, si e ka emrin? Një botë unilaterale, pra një lloj SHBB-je (Shtetet e Bashkuara të Botës) nën drejtimin e Uashingtonit? Utopi pa asnjë shenjë mundësie në horizont.

Një botë multipolare e fuqive të mëdha me SHBA në krye si fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake? Ekziston tashmë prej dekadash.

Mbetet kuptimi i një SHBA-je autokratike imperiale e modelit putinist që i trajton vendet aleate dhe ato të sferës së influencës si vasale të vetat. Gjë që nënkupton prishjen e BE-së, do të thotë shuarjen automatike të ëndrrës europiane të vendeve kandidate si Shqipëria.

Në fakt ky mbetet të jetë “leximi” i nismës së Tramp në disa mediume brenda dhe jashtë vendit. Lexim i cili i ka ardhur për shtat zotit Rama në një periudhë frustrimi të gjatë e të dyfishtë. Nga mungesa përgjatë gjithë vitit e kontakteve personale me administratën e Presidentit Tramp nga një anë. Nga hetimet intensive të SPAK në paradhomat e pushtetit të tij nga anën tjetër.

Ftesa nominale e Tramp për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes i erdhi si një dhuratë nga qielli, të cilën zoti Rama e përjetoi si një çlirim. A thua se kishte ajgëtuar ndonjë gjë të vërtetë në fantazmagoritë berishiste me “Ramaduro” për konsum të brendshëm.

Me sa duket ftesën e pa si gurin që vret dy zogj: edhe izolimin nga SHBA, edhe koston e frenimit të drejtësisë. “Rendi i ri botëror” e zgjidhte si me magji dilemën e tij të madhe të muajve të fundit se çfarë do të humbte në BE duke iu kundervenë drejtësisë. Zero humbje! Sepse BE do të prishet! Në “rendin e ri botëror” s’ka vend për të!

Vërtetë? Le të provojmë të vemë disa pika mbi “i”, siç na e merr mendja.

Shqipëria nuk mund të mos ftohej nga Tramp në Bordin e Paqes.

Vendet europiane e mirëkuptojnë devocionin plot mirënjohje të Shqipërisë dhe Kosovës ndaj një vendi që i ka bërë shtete në periudha kruciale të historisë së tyre.

Nëse do shtrohej çështja për të zgjedhur, Shqipëra do të zgjidhte SHBA-të si garante të sigurisë së saj. Por nuk ka gjasa të vihet përpara alternativës ose me SHBA, ose me BE.

Sepse nuk do të këtë një SHBA putiniste, sado autoritar të jetë Presidenti i saj. Nuk e lejon struktura e shtetit të rrënjosur demokratik, nuk e lejojnë traditat, ligjet, liritë, zhvillimi, zgjedhjet, kufizimi i mandateve, gjykatat, federalizmi, kultura e pluralizmit, diversiteti si në asnjë vend tjetër të botës. Tramp duhet të prishë Amerikën pa të vendosë “rendin e ri”. Por nuk mundet, nuk e ka ndërmend, nuk ka kohë edhe po ta ketë ndërmend. Rrotacioni i pushtetit në SHBA korigjon gabime, teprime, devijime. Këtu qëndron madhështia e tyre. Por themelet nuk preken.

Aleanca SHBA-BE mund të ketë modifikime, por s’ka gjasa të prishet.

Në çdo skenar, fuqitë e mesme demokratike të Europës përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, shto Kanadanë, shto vendet e vogla anëtarë të BE-së , pra e gjithë kjo konfederatë e madhe dhe e zhvilluar është më shumë se një superfuqi.

S’ka ndryshuar asgjë në rrafshin e marrëdhënieve tona me Brukselin. Shqipëria në BE vazhdon të jetë një projekt i Bashkimit Europian. E konfirmoj së fundi Ministri gjerman për Europën, Gunter Krichbaum, gjatë vizitës së tij në Tiranë javën e shkuar. Ia vlen të citojmë thelbin e qëndrimit të tij për ketë pikë.

Këmbana bie për kë ka veshët. Çdo ndalesë apo kthim prapa na le jashtë Europës. Kryeministri Rama e ka marrë mesazhin. Ai do të bënte një gabim të madh nëse do t’i bëhet pengesë drejtësisë. Do të humbte mbështetjen e shumicës në vend. Do të humbë SHBA-të dhe BE, që janë bashkë në mbështetjen e SPAK dhe GJKKO. Nga loja me dy – tre karrige do të përfundonte pa asnjërën.

Advertisement
Advertisement
Advertisement