Profili i Rugovës në 20-vjetorin e kalimit të tij në amshim - Gazeta Express
string(59) "profili-i-rugoves-ne-20-vjetorin-e-kalimit-te-tij-ne-amshim"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

21/01/2026 17:19

Profili i Rugovës në 20-vjetorin e kalimit të tij në amshim

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

21/01/2026 17:19

Shkruan: Muhamet Hamiti

(Fjalë përkujtimore për Presidentin historik të Kosovës. Prishtinë, 21 janar 2026)

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ndërroi jetë më 21 janar 2006. Kosovën e kishte mbërthyer mot i ftohtë, me borë e acar, ato ditë kur vdiq Rugova dhe u varros pas pesë ditësh. Prishtina u bë qendër e pelegrinazhit për nderim të figurës së tij madhështore, nga populli i vendit si dhe nga personalitete të larta politike të shumë vendeve të botës këtej e përtej Atlantikut. Ai tashmë ishte figura më e madhe e botës bashkëkohore shqiptare, personalitet i adhuruar, me cilësime atëherë si “Kolosi i brishtë”, “Gandi i Kosovës”, ndonjëherë edhe “Dalai Lama i Kosovës” apo edhe “Nelson Mandela i Kosovës”, i vendit që ai e shenjonte me shkrim: Kosova – Dardania antike, cilësi që ai e vetë e trupëzoi me shenjat identitare etnike e humane: Flamurin dardan, Himnin me një këngë kushtrimore të Kosovës dhe Stemën (Vulën e Presidentit).

Për dy decenie veprimtarie atdhetare e politike Ibrahim Rugova u kurorëzua prijës i popullit të Kosovës, i zgjedhur President me votë plebishitare të popullit të vet: personalitet me kulturë të rrënjës e të shekullit mbarë. Më 24 maj 1992, në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, 867 mijë e 557 qytetarë e votuan Ibrahim Rugovën President të Republikës së Kosovës. Ai mbetet figura më e votuar ndonjëherë në historinë e Kosovës. U zgjodh katër herë President i Kosovës.

Kronikanë bashkëkohorë, politikanë e dinjitarë, njohës të tij në veprimtari kulturore dhe historike të botës shqiptare dhe të huaj, nuk i largohen tundimit për ta njohur fshehtësinë e pushtimit të zemrave njerëzore me tingëllim vendës e planetar. Kërkimet vijojnë edhe më për ta shkoqitur e cilësuar doktrinën e tij, strategjinë e tij politike, gjakimin e lirisë së njeriut me sakrifica të durimit të pasosur si rezistencë paqësore, që pranohej prej njerëzve të vendit dhe nga mbarë bota.

Ibrahim Rugova ishte i vetëdijshëm se ishte prijës i popullit të mbijetesës. Doktrina e tij politike (si organizim i brendshëm) bazohej në të djathtën popullore vendëse. Prandaj, strategjia e tij politike bazohej në mirëbesimin dhe mirëkuptimin e kauzës së lirisë nga bota e jashtme. Në këtë mënyrë, Ibrahim Rugova siguroi përkrahje për politikën e tij çlirimtare e humane edhe te Votra edhe te Bota: për shpëtimin dhe mbijetesën e popullit të vet. Ai i mbijetoi tronditjet e mëdha të Kontinentit dhe mizoritë e Siujdhesës, i ndeshur ashpër me trashëgiminë politike të komunizmit dhe kundërshtarët e tij agresivë, të ditur apo të paditur, që i verbon lufta për pushtet.

Gjuha e komunikimit të Rugovës, me të vetët dhe të tjerët – pra gjuha e vendit dhe ajo ndërkombëtare – nuk e humbi arsyen asnjëherë, madje as në situatat më kritike. Ai fliste butë, por mbante qëndrime të forta.

Rezistencën paqësore Rugova e zbuste me formulën “njerëzit kanë të drejtë ta mbrojnë pragun e shtëpisë”. Fitoi përkrahje botërore për shpëtimin e popullsisë së ndjekur nga egërsia e pushtuesve. Dhe popullsia iu kthye vetvetes dhe Kosovës me shpejtësi marramendëse. Kujto muajt e verës së vitit 1999, kur qindra mijëra kosovarë u kthyen në votrat e dhunuara e të shkatërruara nga makineria serbe.

Ibrahim Rugova profetizues e priti me zemër të hapur çlirimin duke i bërë himn shpëtimit dhe duke u shprehur mirënjohje shpëtimtarëve me “Lutje Zotit” më 12 qershor 1999. Ai pohonte “pas luftës të gjithë jemi më pak” dhe “të gjithë jemi njësoj të vegjël” kur fliste për popujt e Siujdhesës.  (Emërtimin ‘Ballkan’ nuk e pëlqente Rugova. Fliste më shumë për Kosovën në Evropën Juglindore).

Ibrahim Rugova, paqtori kryeneq, u mbijetoi atentateve. Herën e mbramë mu në qendër të Prishtinës, më 15 mars 2005, kur po shkonte në Presidencën e Kosovës për ta pritur Komisionerin e BE-së për Politikë të Jashtme, Havier Solanën. Mbas takimit me diplomatin e madh evropian, deklaroi hapur para kamerave pa iu dridhur buza: “Shpëtova edhe këtë herë!” dhe shtoi” “Për fat të keq, ende ka elemente, ende ka njerëz që dëshirojnë ta destabilizojnë Kosovën”.  Kosova ishte e para për të.

Formula e Pagëzimit e Presidentit Ibrahim Rugova ishte: “Një Kosovë e pavarur dhe demokratike, e integruar në BE dhe në NATO, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, me shpjegimin që pasonte: “kjo zgjidhje do ta qetësonte këtë pjesë te Evropës dhe të botës”.

Në rini të parë, Ibrahim Rugova ka njohur bubullimat heroike të Gjergj Fishtës te “Lahuta e Malcís” dhe revoltën e tij rrëfimtare “Europa, mërrutë e ndytë…”. Po ashtu e përjetoi mirësinë e Naim Frashërit dhe vizionin e tij të Diellit që lind nga perëndon. Në rininë e dytë, mësoi nga Eqrem Çabeji për fisin e polisin në botën shqiptare dhe për “Shqipërinë midis Lindjes dhe Perëndimit”, por vetë e pa Kosovën – Dardaninë antike në botën perëndimore.

Në fëmijërinë e parë, Ibrahimit i dëshmoi nëna, që ia kushtoi jetën, se komunistët sllavë ia kishin pushkatuar babën e gjyshin, varri i të cilëve nuk u zbulua kurrë.

Kur u themelua formacionin politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i saj, për pak muaj, partia e parë antikomuniste në tokat shqiptare në vitet 90-të mbërriti në 700 mijë anëtarë. Ky ishte reagim ekzistencial i popullit të lënë pa zot, meqë strukturat komuniste të Kosovës e kishin humbur orientimin në kohë e në hapësirë. Pra, brenda formacionit politik kishte shtresë intelektuale të dorës së parë, veprimtarë të ilegales që gjetën strehë politike për ta legalizuar veprimtarinë e tyre, komunistë të konvertuar shpejt për ta zënë pronësinë pushtetore, por shumica njerëz jopolitikë që rrethanat i thirrnin për t’i rezistuar shpërbërjes nga okupimi agresiv serb.

Ibrahim Rugova, që në parim tumirte demokraci shumëpartikae, i bashkoi edhe partitë e tjera shqiptare të Kosovës në një Këshill koordinues, më tej edhe partitë shqiptare në territoret e ish-Jugosllavisë në një këshill tjetër dhe u zgjodh kryetar i tij. Ishte ky një instrument politik struktural që do të prodhonte dokumente themelore për Kosovën e ardhmërisë: zgjedhje parlamentare, shpallje të pavarësisë, miratim të Kushtetutës, Referendum për pavarësinë. Një rend veprimesh politike dhe pushtetore për ta mbajtur të organizuar popullin për mbijetesë.

Detraktorët e Ibrahim Rugovës morën jetë sidomos mbas takimit të parë të Rugovës me Ramiz Alinë në Tiranë, kur prijësi demokratik i Kosovës nuk pranoi të bënte homazhe të varri i Enver Hoxhës në Tiranë. Enveristët tashmë legalë jo vetëm në Shqipëri po edhe në Kosovë dhe në diasporë, bënë oponencë e sulme nda Rugovës dhe formacionit të tij politik. Gjuha e tyre e rrezikshme u vu në veprim. Rugova nuk përgjigjej, apo fliste butë: ”gjithkush ta thotë mendimin e vet”. Rugova maste dhrithërimat e brendshme për ta ruajtur substancën kombëtare, aleancën politike dhe strategjike të jashtme. “Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve”, ka thënë për Ibrahim Rugovën autoriteti moral shqiptar Át Zef Pllumi. “Politika e Rugovës është politikë kombëtare me fytyrë të njeriut që krijon miqësi”, ka thënë Sabri Hamiti, miku e kolegu i tij i letrave dhe i politikës.

Paslufta solli parti politike të reja në Kosovë, tashmë me elan të shtuar për pushtet, ndonëse nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Lidhja Demokratike e Rugovës, ndonëse e dëmtuar tmerrshëm me vrasje të veprimtarëve të saj të njohur, e fitoi votën popullore shqiptare në dy palë zgjedhje komunale e qendrore. Rugova i rilindur nuk pranoi assesi të derdhej gjaku i shqiptarit për pushtet. Me durimin e njëmendët politik, ai pranoi krijimin e institucioneve të përbashkëta duke u ulur gju më gju me ata që e kishin sharë e denigruar, vetëm për ta krijuar Republikën e pavarur të Kosovës – Dardanisë antike. Dhe kur i pushoi zemra Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ishte kryetar i Delegacionit për Statusin e Republikës.

Edhe kur u përball me sëmundjen kobzezë, me kancerin në mushkëri, Ibrahim Rugova tha më 5 shtator 2005, kur iu drejtua popullit të vet: “Jam i bindur se me ndihmën e Zotit do ta kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës, sa më parë nga miqtë tanë amerikanë dhe evropianë”. Ndërsa unë, zëdhënësi i tij, kur e dhashë kumtin e zi të vdekjes së tij më 21 janar 2006, thashë për mediat ndërkombëtare: “E bëri betejën me kancerin me dinjitet dhe kurajë të madhe deri në frymën e tij të mbramë”.

Ibrahim Rugova njihet gjerësisht në vend si Presidenti historik, në vend dhe në botë si Ati Themeltar i shtetit të Kosovës.

Siç ndodh me etërit themeltarë, figura e Ibrahim Rugovës është rritur me kalimin e viteve. Rugova dhe Kosova janë binom i pandashëm i historisë sonë.

E kujtojmë përjetë e mot Ibrahim Rugovën, engjëllin mbrojtës të Kosovës!

Advertisement
Advertisement
Advertisement