Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar se vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij afatgjate në “Etihad Stadium” do të merret në fund të sezonit.
Pas dështimit të Cityt për të rikthyer titullin e Premierligës, që përfundoi pasi barazimi ndaj Bournemouthit ia dorëzoi trofeun Arsenalit, tekniku katalanas mbetet i rezervuar për hapat e ardhshëm, por theksoi se vazhdon të jetë “njeriu më i lumtur në botë” që drejton klubin.
Duke folur për “Sky Sports”, Guardiola komentoi spekulimet në rritje rreth të ardhmes së tij pas barazimit 1-1 me Bournemouthin, rezultat që i dha fund matematikisht garës për titull.
City mbeti në kuotën e 78 pikëve, ndërsa Arsenali siguroi kampionatin me 82 pikë dhe një epërsi të paarritshme prej katër pikësh para javës së fundit.
55-vjeçari, i cili ka fituar gjashtë tituj kampioni gjatë periudhës së tij te City, sqaroi situatën e kontratës.
“Dëgjoni, kam edhe një vit kontratë. Nuk do t’ju tregoj këtu për ndonjë vendim, sepse duhet të flas me presidentin tim, me lojtarët dhe me stafin tim. Kur luajmë për FA Cup, për kualifikim në Ligën e Kampionëve dhe Premierligë, fokusi im është vetëm ta çoj ekipin në nivelin më të lartë. Dhe këtë kemi bërë”, tha ai.
Guardiola theksoi se diskutimi për të ardhmen gjatë sezonit nuk i bën mirë skuadrës dhe konfirmoi se një takim vendimtar do të mbahet pas përfundimit të plotë të kampionatit.
“Mund të them se kam edhe një vit kontratë, por nga përvoja ime, çdo njoftim gjatë garës është negativ. Personi i parë me të cilin duhet të flas është presidenti im [Khaldoon Al Mubarak], sepse kemi rënë dakord që në fund të sezonit të ulemi dhe të bisedojmë. Pastaj do të marrim vendimin”, shtoi ai.
Pavarësisht humbjes së titullit, Guardiola përgëzoi Arsenalin dhe Mikel Artetën për suksesin e tyre.
“Në emër të Manchester Cityt dhe ekipit tim, urime Arsenalit, Mikelit, stafit dhe tifozëve për këtë Premierligë – e meritojnë!”, shtoi ai.
Ai gjithashtu foli me emocion për lidhjen e tij me klubin.
“Jam njeriu më i lumtur në planet që jam në këtë klub! Ky klub është thjesht i jashtëzakonshëm! Sigurisht, sezoni ka përfunduar për ne. Do të donim të luftonim deri në ndeshjen e fundit para tifozëve tanë, por e di që ata do të jenë me ne, sepse në këto 10 sezone kemi përjetuar shumë momente të jashtëzakonshme”, e mbylli trajneri spanjoll./GazetaExpress/