Nga kritika te shpifja, një vijë e hollë që po zhduket - Gazeta Express
string(53) "nga-kritika-te-shpifja-nje-vije-e-holle-qe-po-zhduket"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

19/01/2026 16:08

Nga kritika te shpifja, një vijë e hollë që po zhduket

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

19/01/2026 16:08

Shkruan Besarta Zuka

Me shpifë do të thotë me ia marrë tjetrit nderin me fjalë, tu e harru se te na fjala ka qenë besë.

Në kulturën tonë shqiptare, fjala ka pasë peshë, sepse nderi s’ka qenë thjesht emër, por vlerë që s’është ble e as shitë.

Te na, fjala s’ka qenë kurrë e lehtë. Për një kohë të gjatë në Kosovë, shpifja e fyerja kanë qenë të sanksionuara si vepra penale, sepse fjala e rreme shihej si rrezik për rendin shoqëror dhe për nderin e njeriut. Me kalimin e kohës dhe me afrimin drejt standardeve evropiane ligji ka ndërruar qasje, sot shpifja e fyerja nuk trajtohen më penalisht, por rregullohen me Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes. Ky ndryshim nuk do të thotë që fjala e pavërtetë është bërë e lejueshme, por që përgjegjësia ka marrë tjetër formë. Neni 3 i këtij ligji e thotë se Shpifja nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton reputacionin e një personi tjetër. Ligji nuk ndëshkon ma me dënim penal, por ia lë barrën autorit me u përballë me pasojat civile të fjalës së vet. Në thelb, ligji modern nuk e ul peshën e fjalës, përkundrazi, e kthen atë te ajo që ka qenë gjithmonë në kulturën tonë, besë, përgjegjësi dhe nder. Sepse edhe sot, njësoj si dikur, fjala e thënë pa mend e pa provë mundet me e rrënu nderin e tjetrit, e nderi s’kthehet lehtë.

Personalisht, nuk më pëlqen të shikoj televizior, mendoj që është konsum i tepërt i energjisë dhe nuk dua që mendimin për dikënd apo diçka ta përkufizoj duke u ndikuar nga ato që paraqiten në televizior. Gjithsesi, fakti që i ik qëndrimit para televizionit nuk më shfajëson që telefoni dhe rrjetet sociale nuk më lenë që të mos ndikohem, por arsyetim për këtë ja lë zhvillimit të teknologjisë dhe asaj hajt se do “të jem në hap me kohën”.

Kohët e fundit, zhvillimet botërore dhe ato në vend kanë qenë mjaftë të bujshme, si në aspektin politik ekonomik e social, shkaqe këto që po na servohen emisione politike, ekonomike, gjysmë humoristike e shumë më pak edukative e shkencore. Duket sikur të gjithë kanë të drejtë të kritikojnë, shpifin, shajnë e ofendojnë në emër të lirisë së shprehjes e sikur është një vrull gare se kush kënd e sulmon më shumë.

Në një shoqëri demokratike është e vërtetë që gjithsecili ka mendimin e vet të lirë dhe mund të shpreh atë që dëshiron, por në një shoqëri demokratike po ashtu gjithsecili ka të drejtë deri aty, ku nuk i cenohet e drejta e tjetrit, andaj edhe nuk është asgjë apsolute por gjithçka është e ndërlidhur bukur në atë mënyrë që të gjithë të jetojmë mirë, të jemi të kujdesshëm e të respektojmë njëri tjetrin sepse vetëm duke pranuar se jemi të ndryshëm mund të jetojmë së bashku në këtë botë, imponimi i mendimeve dhe mënyrës se qysh secili vendos të jetoj krijon vetëm pakënaqësi dhe rrjedhimisht kësaj edhe shoqëri jo stabile që nuk i shërben asgjë së ardhmes.

Kritika publike është jo vetëm e lejueshme, por e domosdoshme pasi shërben si mjet për të dhënë llogari dhe për të u përmirësuar. Megjithatë, vitet e fundit po vërehet gjithnjë e më shpesh një fenomen shqetësues, kritika po zëvendësohet me akuza, opinioni me “fakte”, ndërsa dyshimi me gjykim publik. Vija ndarëse mes kritikës së ligjshme dhe shpifjes po bëhet gjithnjë e më e paqartë.

Në diskursin publik, veçanërisht në media dhe rrjete sociale, po normalizohet ideja se mjafton të kesh bindje personale për ta paraqitur atë si të vërtetë. Ky është një keqkuptim i rrezikshëm.

Juridikisht, kritika dhe shpifja nuk janë e njëjta gjë. Kritika ka të bëjë me vlerësim, mendim apo qëndrim subjektiv. Shpifja, përkundrazi, lidhet me paraqitjen e fakteve konkrete, të pavërteta, si të mirëqena, me pasoja të drejtpërdrejta në reputacionin dhe dinjitetin e tjetrit.

Bartësit e funksioneve publike, për shkak të rolit që ushtrojnë, pa dyshim që duhet të kenë një prag më të lartë tolerance ndaj kritikës publike. Kjo është logjika e një shoqërie demokratike dhe kjo është arsyeja pse ligji u jep qytetarëve dhe mediave hapësirë më të gjerë për debat mbi çështjet me interes publik. Mirëpo, kjo tolerancë nuk është pa kufi. Pikërisht këtu qëndron vija e hollë mes kritikës dhe shpifjes. Sipas nenit 6, të Ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes, prova e së vërtetës kur bëhet fjalë për deklarata që prekin interesin publik, mbrojtja ligjore e atij që flet ekziston vetëm nëse ai ka vepruar me përgjegjësi, pra, nëse ka verifikuar faktet, ka përdorur burime të besueshme dhe nuk ka paraqitur dyshime personale si të vërteta të kryera. Pra, kritika është e lejueshme kur shpreh mendim, vlerësim apo shqetësim, ajo shndërrohet në shpifje në momentin kur, në emër të kritikës, bëhen deklarime të pavërteta që paraqiten si të sigurta dhe që dëmtojnë reputacionin e një personi publik. Prandaj, edhe pse zyrtarët publikë duhet të durojnë më shumë kritikë se qytetarët e zakonshëm, askush nuk ka të drejtë ta përdorë këtë standard më të lartë tolerance si licencë për të shpifur.

Në kulturën tonë të  gjithë ne jemi edukuar në atë mënyrë që të respektojmë e kujdesemi për njëri tjetrin, ai që ka qenë më i vjetër ka pas të drejtë për shkak të përvojës jetësore e jo vjetëve, prindërit, miqtë e musafirët i kemi pas të shenjët, dhe nuk ka pasur asgjë të keqe me këtë, tani kritikojmë e ofendojmë në bazë të asaj që e quajmë “mendimi im”

Kur dikush deklaron publikisht se një person ka kryer keqpërdorime, ka përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme apo ka vepruar kundërligjshëm, këto nuk janë më mendime, janë akuza. Dhe akuzat, në një shtet të së drejtës, nuk verifikohen në studio televizive apo në komente në rrjete sociale, por në institucione dhe gjykata.

Një tjetër aspekt problematik është keqpërdorimi i transparencës. Instrumente si deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë janë krijuar për të rritur besimin e qytetarëve dhe për të parandaluar korrupsionin. Por transparenca nuk është ftesë për linçim publik. Të dhënat zyrtare nuk mund të interpretohen sipas dëshirës personale dhe të shndërrohen si situata për paligjshmëri, pa asnjë konstatim nga organet kompetente. Kur kjo ndodh, transparenca humb funksionin e saj dhe shndërrohet në mjet presioni dhe diskreditimi.

Meqë kjo po ndodhë, gjykatat janë e vërshuar me padi për shpifje dhe meqë ka shumë as gjyqtarët nuk janë duke i marrë me seriozitet, kjo paraqet rrezik në të dyja anët, ku më nuk dihet cila është e vërteta dhe çka nuk duhet të bëhet. Edhe ata persona që ushtrojnë funksione publike duhet të jenë të vetëdijshëm që janë në sy të publikut dhe kemi të drejtë të kërkojmë llogaridhënie për pasurinë e krijuar por në anën tjetër askush nuk na jep të drejtë të shprehim deklarata të pavërteta vetëm sa për të deskridituar figurën e dikujt vetëm pse është bërë “dikushi” në këtë jetë

Për këtë arsye gjykatat duhet të bëjnë kompensimin në shuma më të larta, jo që dëmi jo moral mund të kompensohet me shumë të caktuar të parave sa do e madhe që të jetë ajo, por është satisfaksion moral të paktën pasi që kur fjala e pavërtetë nuk ndalet nga kultura, atëherë duhet të ndalet nga ligji i cili e thotë qartë në nenin 14 se: “Kompensimi do të jetë proporcional me dëmin e shkaktuar dhe do të caktohet vetëm me qëllim të korrigjimit të dëmit të shkaktuar ndaj reputacionit të personit në fjalë, ose për të kompensuar çfarëdo humbje të provueshme aktuale financiare apo dëmi material. Gjatë përcaktimit të kompensimit, gjykata është e detyruar të marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit, në veçanti çfarëdo mase të ndërmarrë për të zbutur dëmin ….” Kjo dispozitë nuk e kufizon gjykatën me shuma simbolike, përkundrazi, ia jep përgjegjësinë me vlerësu seriozisht peshën e fjalës së pavërtetë dhe pasojat e saj. Kur shpifja bahet publikisht, me qëllim diskreditimi dhe pa asnjë përpjekje për korrigjim apo tërheqje, kompensimi duhet me qenë i ndjeshëm dhe real, në mënyrë që të shërbejë jo vetëm për korrigjimin e dëmit të viktimës, por edhe si mesazh i qartë se fjala e rreme ka kosto. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, gjykatat mund ta ndalin normalizimin e akuzave pa prova dhe ta kthejnë përgjegjësinë për fjalën aty ku i takon.

Liria e shprehjes është një nga shtyllat e demokracisë, por ajo nuk është absolute. Ajo shoqërohet gjithmonë me përgjegjësi. Të flasësh publikisht do të thotë të jesh i vetëdijshëm për pasojat e fjalës. Kritika është e shëndetshme, por shpifja nuk është formë debati, është shkelje e së drejtës.

Normalizimi i akuzave pa prova nuk dëmton vetëm individët, por dëmton familje, rreth të gjerë shoqëror, institucione dhe kështu krijon një ambient ku fjala humb peshën e saj. Në një shoqëri ku gjithçka thuhet pa përgjegjësi, edhe e vërteta bëhet e dyshimtë. Në fund, humb jo vetëm reputacioni i dikujt, por vetë standardi i shëndoshë që është vendosur vite e vite me radhë.

Nëse duam një shoqëri ku kritika të ketë vlerë dhe fjala të ketë peshë, duhet ta rikthejmë qartësinë, dyshimet hetohen, faktet provohen dhe përgjegjësia përcaktohet nga gjykata.

Çdo gjë tjetër është zhurmë që e zbeh vijën mes kritikës dhe shpifjes, një vijë që nuk guxon të zhduket.

Në fund të ditës, fjala mbetet provë e karakterit. Nëse e përdorim për me ndërtu debat, ajo forcon demokracinë, nëse e përdorim për me shkatërru nder, ajo e rrënon shoqërinë. Kritika është e nevojshme, por shpifja është shenjë mungesës së përgjegjësisë. Ligji sot na jep mjetet me e ndalë fjalën e rreme, por kultura na e jep arsyen për të mos e përdorë atë. Nëse duam me jetu në një shoqëri ku fjala ka peshë e ku reputacioni nuk shkelet lehtë, duhet me e rikthy një parim të vjetër shqiptar: fjala jepet me mend dhe mbahet me nder. Vetëm atëherë vija mes kritikës dhe shpifjes nuk zhduket, por mbetet aty ku duhet, e qartë dhe e drejtë.

Besarta Zuka është avokate nga Shoqëria e Avokatëve PRO JURIS

Advertisement
Advertisement
Advertisement