Bekë Berisha u emërua dje kryetar i ri i klubit të basketbollit Sigal Prishtina mes kontestimesh të tifozëve kryeqytetas “Plisat”.
Mirëpo, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës në emisionin “Kosova Live” në T7 është munduar t’i qetësojë tifozët e klubit të tij të ri, duke kërkuar nga ta që të ndihmojnë dhe të kontribuojnë në arritjen e përbashkëta të sukseseve.
“Ekzistojnë disa pakënaqësi ose idhnime që i kanë. Besoj që me kalimin e kohës do t’i adresojmë, do t’i komunikojmë dhe do t’i zgjedhim, do ta krijojmë një unitet se këtu është i nevojshëm uniteti më së pari. Ky klub shihet se i ka disa probleme. Me pas qenë duke fituar dhe pa probleme, nuk kisha ardhur në shprehje unë. Dhe, pikërisht kur të ndodhin këto, unë jam aty për t’i sanuar problemet”, u shpreh kryetari i ri i klubit më të trofeshëm të basketbollit kosovar.
“Do të thotë, me i afru të gjithë, në mënyrë që të kemi edhe siguri, edhe mbështetje, edhe vizion, edhe punë, edhe fokusim të të gjithëve. Por, e para është që të kemi unitet njëherë. Nëse janë shprehur se e kanë të shpirtit, që e duan suksesin e klubit, atëherë duhet të ndihmojnë të gjithë për me mbërri atë”, përfundoi Berisha. /Gazeta Express