Brilant Milazimi është artisti i përzgjedhur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit – në Bienalen e Venecias 2026. Në këtë edicion, Milazimi do të prezantojë veprën Hard Teeth (Dhëmbë të Fortë), një instalacion pikturor, kuruar nga José Esparza Chong Cuy.
Vepra e re e Brilant Milazimit ankorohet rreth një pikture peizazhi 17 metra të gjatë, e cila paraqet një rend figurash të radhitura afër njëra-tjetrës, si vargmale që na e kujtojnë terrenin rural të Kosovës. Duke u bërë jehonë pamjeve me procesione të gjata të njerëzve, vepra bashkon trupa të brishtë që duken sikur shtrihen brenda peizazhit.
E montuar mbi një strukturë të mëvetësishme të dizajnuar nga LANZA dhe e instaluar në hapësirën e kishës Santa Maria del Pianto, vepra fton shikuesit ta vëzhgojnë dhe ta përjetojnë nga afër. Figurat rezistojnë, ato qëndrojnë në pritje, me dhëmbët e shtrënguar fort.
Se çka presin nuk dihet kurrë. Ky pezullim i kohës dhe i destinacionit pasqyron dekada të një pasigurie të jetuar, të formësuara nga tranzicioni politik, njohje të kontestuar dhe burokraci të papërfunduara të sovranitetit të Kosovës. Dhëmbë të Fortë i jep formë tendosjes fizike dhe psikologjike të kësaj pritjeje pa fund.
Rreth artistit
Brilant Milazimi (l. 1994, Gjilan) e përkthen përceptimin e tij të botës në imazhe që janë njëkohësisht të hidhura, të buta, kanë humor të errët dhe janë shqetësuese. Duke u mbështetur në logjikën e pavetëdijes dhe imagjinares fiktive, pikturat e tij artikulojnë një vizion ogurzi dhe poetik të jetës bashkëkohore, të shënjuar nga fizionomi të ekzagjeruara, prani shtazore, me motivin e përsëritur të dhëmbëve të shtrënguar—simbole përmes të cilave dalin në pah tensione shoqërore dhe konflikte të pazgjidhura. Milazimi ka studiuar artet pamore në Universitetin e Prishtinës. Ekspozitat e tij të fundit personale përfshijnë: Brownie Project Gallery, Shanghai (ekspozitë prej dy artistësh, 2025); Storefront Viewing Room, kurimanzutto, Nju Jork (2025); Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë (2024; 2020); LambdaLambdaLambda, Prishtinë (2023; 2019); Paul Soto, Los Angeles (2023); LA MAISON DE RENDEZ-VOUS, Bruksel (2022); dhe Ermes-Ermes, Romë (2021). Ai ka marrë pjesë në ekspozita të rëndësishme kolektive, përfshirë: edicionin e 5-të të Autostrada Biennale, Prizren (2025); Galleria Continua, Paris (2025); Manifesta 14, Prishtinë (2022); dhe Muzeun Ludwig, Budapest (2020). Në vitin 2020, ai mori Çmimin Artistët e së Nesërmes në Kosovë, ndërsa në vitin 2024 ishte rezident në Art Explora Foundation në bashkëpunim me Cité internationale des arts, Paris.
Rreth kuratorit
José Esparza Chong Cuy është kurator, shkrimtar dhe arkitekt nga Meksika. Që nga viti 2018, ai punon si Drejtor Ekzekutiv dhe Kurator Kryesor në Storefront for Art and Architecture në Nju Jork. Nga viti 2019 deri në 2025, ai ka qenë gjithashtu pjesë e këshillit kuratorial të Museo Tamayo në Mexico City. Para rolit të tij të tanishëm në Storefront, ai ka qenë Kurator i Asociuar në Museum of Contemporary Art Chicago dhe Museo Jumex në Mexico City. Në vitin 2013, ai ishte bashkëkurator i Trienales së Arkitekturës në Lisbonë.
Mes viteve 2007–2012, ai gjithashtu ka jetuar në Nju Jork, ku ka mbajtur pozita si praktikant dhe asistent kuratorial në Storefront, hulumtues në New Museum dhe poashtu ka qenë redaktor bashkëpunëtor në revistën Domus. Ai është Master i Shkencave (MS) në Praktika Kritike, Kuratoriale dhe Konceptuale në Arkitekturë nga Universiteti Columbia.
Rreth hapësirës
Chiesa di Santa Maria del Pianto është kishë dhe manastir tetëkëndor përballë lagunës veneciane, e projektuar nga arkitekti Francesco Contino dhe e ndërtuar në vitin 1658. Dedikuar Zojёs sё Dhimbshme, kisha u ndërtua në një periudhë pasigurie lufte. Në fillim të shekullit XIX, kompleksi u ripërdor më pas si shkollë, si spital, kazermë dhe hapësirë magazinimi, duke pësuar ndryshime të mëdha para rishenjtërimit në vitin 1851. Me largimin e murgeshave në vitin 1970, kisha u mbyll për publikun dhe mbeti e paprekur për dekada. Dhëmbë të Fortë shënon rihapjen e rrallë të kësaj hapësire të mbyllur, e përcjellur nga cikle përkushtimi, braktisjeje dhe pritjeje institucionale.
Rreth pavijonit
Pavijoni i Kosovës komisionohet nga Hana Halilaj, Kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës është përfaqësuar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit – Bienalja e Venecias me pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme kanë përfshirë Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019), Jakup Ferri (2022) dhe Doruntina Kastrati (2024).