Mbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi, pritet të ketë përpara një verë shumë të nxehtë në merkato, pasi kontrata e tij në “Selhurst Park” po shkon drejt fundit dhe klubet më të mëdha europiane janë gati të lëvizin për të.
I afërt me një transferim te Liverpool në shtator, Guehi tani po shqyrton seriozisht mundësinë që ta çojë kontratën deri në fund, në mënyrë që të largohet si lojtar i lirë dhe të përfitojë një bonus të majmë firme në verë.
Liverpool vazhdon të jetë i interesuar dhe mbetet i hapur për një marrëveshje, qoftë në janar apo në korrik.
Megjithatë, në garë janë futur edhe emra të mëdhenj si Bayern Munich, Manchester City dhe Barcelona.
“Bavarezët” thuhet se janë tërhequr disi, duke menduar se Liverpool është favorit, ndërsa Barcelona ka ftohur interesin për shkak të diferencës së madhe mes kërkesave të lojtarit dhe ofertës së tyre financiare.
Në skenë ka hyrë edhe Real Madrid, rivalët historikë të Barcelonës, të cilët janë lidhur me Guehi që pas dështimit të kalimit të tij te Liverpool.
Edhe pse raportet e fundit sugjeronin se madrilenët ishin tërhequr për shkak të kërkesave të larta për pagë, “Diario” AS shkruan se vetë lojtari dëshiron t’i mbajë të gjitha opsionet të hapura.
Madje, nëse do t’i jepej mundësia, Guehi do ta kishte prioritet një transferim te Real Madrid, ku do të ribashkohej me bashkëkombësit e tij anglezë Trent Alexander-Arnold dhe Jude Bellingham.
Sipas të njëjtit burim, ka pasur kontakte mes përfaqësuesve të Guehi dhe Real Madridit, edhe pse nuk specifikohet saktësisht se kur kanë ndodhur këto bisedime.
Mesazhi nga “Los Blancos” ka qenë i qartë: interesi ekziston dhe klubi do të rikthehet nëse vendos përfundimisht të avancojë.
Gjatë kontaktit të parë, Real Madrid ka dashur të sigurohet se Guehi nuk kishte arritur një marrëveshje paraprake me Liverpool, gjë që iu konfirmua se nuk ishte e vërtetë./GazetaExpress/