Rasmus Højlund ka shprehur vlerësime të mëdha për Antonio Conten dhe Romelu Lukakun, duke zbuluar se kur Manchester United “e bëri të qartë që nuk isha pjesë e planeve të tyre,” ai donte vetëm Napoli.
Sulmuesi ishte një investim i madh për Manchester United, që shpenzoi afërsisht 80 milionë euro për ta transferuar nga Atalanta në verën e vitit 2023.
Vetëm dy vjet pas eksperiencës së tij në “Old Trafford”, Højlund u rikthye në Serie A te Napoli, edhe pse dëshiron të bëjë të qartë se nuk ishte zgjedhja e tij të largohej.
“United e bëri shumë të qartë për mua që nuk isha pjesë e planeve për këtë sezon, dhe me mungesën e futbollit europian dhe gjërave të tjera,” tha Højlund për “Sports Illustrated”.
“Jam i ri, duhet të luaj futboll, dhe për këtë arsye mendoj se kjo ishte një mundësi e mirë për mua”, shtoi ai.
22-vjeçari u transferua me huazim për 6 milionë euro me opsion blerjeje për 44 milionë euro shtesë, që bëhet obligim nëse Napoli kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
“Napoli pa mundësinë për të më marrë, dhe sapo dëgjova interesin e tyre, bëra të qartë për kampin tim dhe për njerëzit rreth meje që doja vetëm atje të shkoja”, vazhdoi danezi.
Højlund ishte edhe më i vendosur për të bërë këtë lëvizje te “Stadio Diego Armando Maradona” pas një bisede direkte me trajnerin Conte.
“Ishte një bisedë e shkurtër, por shumë, shumë e mirë,” pranoi sulmuesi.
“Mendoj se ai është një trajner i jashtëzakonshëm. Kam parë që ai bën gjëra të mira pothuajse kudo ku ka qenë, kështu që kjo padyshim ishte një pjesë e madhe e vendimit. Kur të thërret, thjesht duhet të thuash po”, tha ai tutje.
Conte ka shpjeguar së fundmi se si ka përmirësuar lojën e Højlund, dhe rezultatet po tregohen: shtatë gola dhe tre asistime në 19 ndeshje konkurruese.
Danezi u transferua te Napoli si zëvendësues emergjent për Romelu Lukakun, i cili u skualifikua për katër muaj pas një dëmtimi serioz në një miqësore para sezonit.
Megjithatë, mundësia për të luajtur pranë belgut ishte gjithashtu një tërheqje e madhe për Højlund.
“Rom është një njeri fantastik. Nuk e njihja më parë,” pranon ai.
“Kam pasur disa biseda me të, edhe në fushë, dhe në fakt kam një fanellë të Romelut në shtëpi. Ai është një farë idhulli për mua, sepse gjithmonë e kam admiruar. Dua të mësoj prej tij gjithashtu, sepse ndjej që mund të më japë shumë, pasi ai gjithmonë shënon gola dhe është i shkëlqyer në lidhjen e lojës dhe gjëra të tjera. Mendoj se ka shumë për të dhënë gjithashtu”, përfundoi ai./GazetaExpress/