E ardhmja e Evan Fergusonit te Roma është e pasigurt, pasi “Giallorossët” kanë hapur tashmë bisedime për të afruar Giacomo Raspadorin dhe Joshua Zirkzee gjatë afatit kalimtar të janarit.
Roma mund të vendosë ta kthejë sulmuesin e përfaqësueses së Irlandës së Veriut, Ferguson, te Brighton që në janar, teksa Gian Piero Gasperini synon përforcime në repartin ofensivë gjatë merkatos së dimrit.
Ferguson nuk ka arritur të bindë në “Stadio Olimpico”, duke shënuar vetëm katër gola në 18 paraqitje në të gjitha kompeticionet, një statistikë që ka ngritur pikëpyetje për formën e tij.
Gasperini ishte veçanërisht kritik ndaj Fergusonit pas humbjes 1-0 të Romës ndaj Juventusit më 20 dhjetor.
“Ferguson ende nuk po më bind, përfshirë edhe pjesën e dytë sot. Nuk është vetëm çështje teknike; ai dhe disa përforcime të tjera të reja ende nuk janë përshtatur plotësisht me frymën e kësaj skuadre,” tha Gasperini për “Sky Sport Italia”.
“Kemi një skuadër shumë solide, me Dybala dhe Soulé. Ata nuk morën shërbimin e duhur sonte, por cilësia e tyre teknike është shumë më e lartë se e të tjerëve. Do të bëja sërish të njëjtat zgjedhje, pa dyshim.”
Trajneri i Brightonit, Fabian Hürzeler, nuk e ka përjashtuar rikthimin e Fergusonit gjatë merkatos së janarit, një lëvizje që do të duhet të miratohet nga të dy klubet.
Ferguson iu bashkua Romës verën e kaluar në formë huazimi me opsion blerjeje prej 35 milionë eurosh, një formulë që “Giallorossët” do të donin ta përsërisnin edhe me Manchester United muajin e ardhshëm.
Sulmuesi i “Djajve të Kuq”, Joshua Zirkzee, është objektivi kryesor i Romës për të përforcuar sulmin në pjesën e dytë të sezonit 2025-26.
Megjithatë, sipas burimeve italiane, Manchester United nuk është i gatshëm ta lërë të lirë holandezin në gjysmën e parë të janarit, pasi ka mungesa në sulm për shkak të dëmtimeve dhe Kupës së Afrikës (AFCON).
Gasperini është një admirues i hershëm i Zirkzee dhe ka tentuar ta transferojë edhe më parë te Atalanta.
Po ashtu, Giacomo Raspadori i Atletico Madridit, ish-sulmues i Napolit, ka qenë prej kohësh në listën e Gasperinit, që nga koha e tij në Bergamo, dhe nuk është rastësi që italiani është një tjetër lojtar me të cilin Roma po zhvillon bisedime këto ditë.
Raspadori ka pasur pak minuta te Atletico Madrid këtë sezon, por gjithsesi ka arritur të shënojë dy gola dhe të japë tre asistime në 14 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar edhe një gol në Ligën e Kampionëve.
Gasperini shpreson t’i mirëpresë si Raspadorin ashtu edhe Zirkzee në janar, për të rritur shanset e Romës për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Roma ka mbrojtjen më pak të mposhtur në Serie A, me vetëm 10 gola të pësuar, por ka sulmin më të dobët mes 10 skuadrave të para, me vetëm 17 gola të shënuar, ndaj Gasperini pret përforcime në repartin ofensiv sa më shpejt të jetë e mundur./GazetaExpress/