Barcelona po kërkon përforcime në mbrojtje në afatin kalimtar të janarit, megjithëse me hezitim, pas dëmtimit të Andreas Christensen, i cili ka pësuar një çarje të pjesshme të ligamentit të kryqëzuar.
“Blaugranat” kanë marrë informacione të përziera për dy nga objektivat e tyre të mundshëm.
Gjigantët katalanas kanë eksploruar tregun për opsione që mund të vijnë këtë dimër dhe raportohet se kanë vendosur të mos bëjnë një transferim të përhershëm.
Barcelona po synon një lëvizje në formë huazimi, edhe pse nuk ka garanci se do të bëjnë ndonjë transferim, por ideja është që kjo të jetë një zgjidhje afatshkurtër, duke u hapur rrugë një përforcimi afatgjatë në verë.
Që në fillim, negociatat dukeshin të vështira, pasi Manchester City raportohet se kërkon 25 milionë euro për Nathan Aké.
Reprezentuesi holandez është një nga të paktët lojtarë që i plotëson kriteret e Barcelonës, si një opsion me përvojë, mëngjarash, që është i hapur për t’u larguar në janar.
Megjithatë, paga e lartë e 30-vjeçarit dhe fakti që City kërkon një shitje të përhershme e bëjnë marrëveshjen shumë të vështirë, siç shpjegon “MD”, edhe pse thuhet se ai mund të largohet për 15–20 milionë euro.
Nga ana e tij, Aké do të ishte i interesuar për një transferim, por në momentin aktual kjo duket pak e mundshme.
Një tjetër mbrojtës që supozohet se është në listën e Barcelonës është Stefan de Vrij i Interit.
Po ashtu reprezentues holandez, de Vrij është këmbëdjathtë, por është mësuar të luajë në anën e majtë dhe nuk po aktivizohet shpesh te Interi.
I njëjti burim thotë se Interi do të lejojë largimin e de Vrij, për sa kohë që sjellin një tjetër mbrojtës. Aktualisht ata po synojnë Mario Gila të Lazios ose Tarik Muhamerovic të Sassuolos.
Një pengesë është fakti se Barcelona ka afat vetëm deri më 9 janar për të vendosur nëse do të aktivizojë rregullin e dëmtimit emergjent. Kjo do të thotë se Interi do të duhet të veprojë shpejt që de Vrij të bëhet i disponueshëm në kohë./GazetaExpress/