Dinamo është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, trofeu i parë sezonal i futbollit shqiptar, pasi mundi Egnatian në “Air Albania”.

Dinamo fitoi 3-1 ndaj Egnatias, me përmbysje, pasi kampionët aktualë ishin duke fituar 1-0 në pjesën e parë.
Skuadra e Ilir Dajës përmbysi shifrat në duelin me rrogozhinasit, që pasi mbyllën në avantazh pjesën e parë, pësuan dy gola brenda pak minutash në pjesën e dytë dhe të tretin në minutat shtesë.
Flamur Ruci shënoi i pari në ndeshje për 1-0, në minutën e tetë.
Bejvi Bregu dhe Nani shënuan për pesë minuta, për të përmbysur rezultatin.
Klevi Qefalija shënoi golin e tretë për Dinamon dhe të epilogut të takimit.
Dinamo bën të sajën Superkupën e tretë në historinë e klubit, pas fitoreve në vitin 1989 dhe 2008.
Dinamo u ‘kualifikua’ për Superkupë, pasi e fitoi Kupën e Shqipërisë sezonin e kaluar, pikërisht duke e mposhtur Egnatian pas penalltive.
Ndërkohë, Egnatia është kampione në fuqi e Superiores së Shqipërisë./GazetaExpress/