Viti 2025 dorën në zemër ishte mjaft pozitiv për futbollin kosovar, me sukseset e Kombëtares në kualifikimet e Botërorit, të Dritës në garat evropiane, por edhe me përmirësimin e renditjes së Kombëtares në FIFA dhe të ligës kosovare në UEFA.
Por, jo gjithçka ishte bardhë në futbollin e këtushëm në vitin që po shkon drejt fundit.
Në fakt, dhjetori ishte muaji kur u shfaqën disa mangësi dhe pika të dobëta të futbollit në vend, shkruan “Gazeta Express”.
Në emisionin “Favorit” në T7, profa Bylbyl Sokoli, deri dje trajner i Drenicës, dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e shprehën shqetësimin e tyre për topat me të cilët po luhet në Superligën e futbollit.
Sipas tyre, këta topa nuk janë origjinalë të prodhuar nga gjiganti – Adidas, pra ishin të bindur që këta topa janë fallc, duke insistuar se, mbi të gjitha gjatë motit të ftohtë, ata bëhen të papërshtatshëm për lojtarët – si të ishin top plastike, dhe të cilët ua pamundësojnë lojtarëve që t’i shfaqin vlerat e tyre.
“Gazeta Express” ka dërguar e-mail zyrtar në Federatën e Futbollit të Kosovës, nga e cila ka kërkuar informata rreth prejardhjes së këtyre topave, kontratës dhe detaje të tjera, por që nuk ka marrë përgjigje ende, tash e sa ditë, njëjtë si në pyetjet paraprake që ia ka parashtruar institucionit më të lartë të futbollit kosovar.
Ndërkohë, një tjetër top i qiti hije të keqe gala mbrëmjes së shpalljes së më të mirëve të vitit, të organizuar nga shtëpia e futbollit kosovar.
Bëhet fjalë për Topin e Artë të vitit 2025, të cilin e fitoi Arb Manaj.
Më saktësisht, dizajni i këtij trofeu, i njëjtë me vitin e kaluar, ngjalli shumë reagime në opinion, me shumicën e komenteve që e kritikuan dhe e përqeshën trofeun e Topit të Artë.
Pra, topat ishin pika e dobët e futbollit kosovar në këtë vit.
Urojmë që në 2026-in FFK-ja të intervenojë në këtë aspekt, duke sjell topa më cilësorë për fushën e blertë dhe një dizajn më të mirë për Topin e Artë të Kosovës. /Gazeta Express